Tender i ri për pasaporta?

23:25 / 16.01.2013

Në një takim të mbajtur të mërkurën në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake të angazhuar për prodhimin e pasaportave biometrikë, OSED, është diskutuar për “paqartësitë e kontratës”. Sipas zyrtarit për komunikim të kësaj ministrie, “nëse s’ka marrëveshje, do të ketë tender të ri për pasaporta”. OSED nuk komenton këto bisedime.

Merret vesh se Ministria e Punëve të Brendshme dhe përfaqësues të kompanisë që prodhon pasaportat biometrikë - OESD, janë takuar për herë të dytë për të diskutuar rreth kontratës, të mërkurën.

Takimi është konfirmuar nga Behar Haziraj, ushtrues detyre i Drejtorit për Komunikim me Media në MPB. “Janë diskutuar paqartësitë e kontratës”, thotë Haziraj, për Gazetën Jeta në Kosovë.

OESD është shpallur fituese në muajin gusht të 2011-ës në tenderin e MPB-së për prodhimin e pasaportave biometrikë.

Në takim janë diskutuar disa çështje, ndër të cilat edhe pagesa e TVSH-së për materialin (pasaportat) e sjellur nga OSED përmes doganave të vendit. “Tash problem është edhe TVSH-ja”, thotë Haziraj.

Sipas tij, “Ministria e Punëve të Brendshme nuk shlyen pagesat për OESD pa pasur faturat që TVSH-ja është paguar”.

Zyrtarë të kompanisë austriake nuk pranojnë të japin sqarime në lidhje me këtë çështje.

Dieter Riedlinger, zyrtar i kompanisë austriake OESD, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se“Kompania jonë nuk komenton procedurat ose bisedimet që janë në vazhdim”.

Negociatat e së mërkurës ndërmjet zyrtarëve të MPB-së dhe OESD-së janë shtyrë për ditën e enjte.

Sipas Hazirajt, austriakëve u janë kërkuar që të sjellin “kërkesat e tyre" dhe pastaj të shikohet rasti.

Ky takim pritet të jetë vendimtar. “Nëse s’ka marrëveshje, do të ketë tender të ri”, thotë Haziraj.

Gjatë takimit është vendosur që çështja e 1.4 milonëshit - e dyshuar të jetë dhënë në formë mitoje - t’i lihet gjykatës, sipas Hazirajt.

Skandali me pasaporta në MPB ka filluar vitin e kaluar kur kompanisë austriake nuk i shkuan në llogari 1.4 milionë euro, për të cilat një nga nënkontraktueset e OESD-së, Natali Velija, shtetasja gjermane, u arrestua në Prishtinë.

Velija në prokurori ka deklaruar se 1.4 milionë euro është dashur t’ia japë ryshfet zyrtarëve të kësaj ministrie.

Ndërkohë, komisioni parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, në një takim mbajtur të martën, ka shqyrtuar mundësinë për thirrjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një dëgjim publik, lidhur me “skandalet e njëpasnjëshme” në këtë ministri.

Anëtari i këtij komisioni, Anton Quni, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkoi nga anëtarët e tjerë të komisionit trajtim në nivel më të lartë, siç tha ai “të dukurive që po ndodhin në MBP”.

“Ne jemi dëshmitarë të skandaleve të njëpasnjëshme që po ngrihen në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha deputeti Quni.

Ai kërkoi që ministri Rexhepi të thirret në interpelancë, por kryetari i komisionit Ahmet Isufi tha se komisioni nuk ka një kompetencë të tillë.

“Me Rregullore të punës, interpelancën mund ta thërrasin së paku gjashtë deputetë, por jo Komisionet parlamentar. Ne, si komision mund ta thërrasim vetëm për raportim apo dëgjim publik”, ka sqaruar Isufi.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, raportimet e deritashme të ministrit Rexhepi i ka cilësuar si “të konsumuara dhe që nuk kanë prodhuar asnjë efekt”, duke mos mbështetur thirrjen e tij para komisionit. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.