Tentim vrasje në qendër të Mitrovicës
Një tentim vrasje ka ndodhur të shtunën rreth orës 11:00 në qendër të Mitrovicës, përkatësisht afër tregut të pemëve, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, një person ka shtënë tre herë me armë zjarri ndaj një personi tjetër (S.Deliqi) në distancë prej dy metrash, por nuk ka arritur ta qëllojë, ndërsa falë policit Naser D., nga Mitrovica, i cili ndodhej jashtë detyrës zyrtare, është lokalizuar sulmuesi të cilit i është marrë arma.
Ngjarjen e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. Ai ka thënë se i dyshuari është arrestuar, ndërsa policia është në kërkim edhe të një personi tjetër të dyshuar.
“Ndaj të dyshuarit me autorizim të prokurorit publik është shqiptuar masa e arrestit policor”, theksoi Hoti, duke shtuar se motivet, deri tash, nuk janë të njohura. /Telegrafi/