Terrori i ahengjeve
Egzon Makiqi është viktima më e fundit e shfrenimeve të dasmorëve anekënd Kosovës. Një plumb qorr e ka goditur në shpinë, teksa djaloshi nga Rezniku i Vushtrrisë po ruante bagëtinë. Predha që e ka në trup rrezikon ta paralizojë për tërë jetën. Policia po zbaton një plan me të cilin synon të ndalojë këtë dukuri.Një plumb që shkrepet në ajër, në fund do të kthehet sërish në tokë. Këtë e dinë të gjithë, por rrallëkush mendon se ai plumb që do të bjerë, mund ta qëllojë ndonjë njëri. E këtë fat të keq ka pasur Egzon Makiqi, shkruan “Express”.
Derisa ishte duke ruajtur bagëtitë me bashkëmoshatarët e tij, Egzon Makiqi (14), nga fshati Reznik i Vushtrrisë, është qëlluar nga një plumb qorr.
Plumbi dyshohet se ka ardhur nga të shtënat nga dasmorë që ishin duke festuar për ndonjë aheng të tyre familjar, diku larg fshatit.
Ai ishte vetëm rreth dy kilometra larg shtëpisë së tij, kur para disa ditësh, rreth orës 16, ndjeu një pickim pas shpine.
Gjëja e parë që kishte menduar ishte se është kafshuar nga ndonjë gjarpër apo se është qëlluar nga dikush me ndonjë guri. Por nuk ishte as njëra, e as tjetra. Egzoni në fakt ishte qëlluar nga një plumb qorr.
E tash pa fajin e tij, e për idiotësinë e dikujt që gëzimin ende e shpreh duke shkrepur armë, ky djalosh rrezikon të mbetet invalid për tërë jetën.
Aq sa ky fëmijë, edhe më shumë, prindërit e tij janë të ankth e në mërzi. Ata kanë frikë se të birit i kërcënohet fatkeqësia që përjetësisht të mbetet i lidhur për karrige.
Fushatat e ndryshëm të Policisë së Kosovës për vetëdijesimin se gëzimet nuk bëhen me armë e me shkrepje plumbash, sikur nuk kanë arritur të depërtojnë në shumë koka të ngurta.
Të dhënat zyrtare të forcave të rendit më së miri e pasqyrojnë këtë gjë. Vetëm gjatë javës së kaluar, sipas Baki Kelanit, zëdhënësit të Policisë së Kosovës, janë konfiskuar trembëdhjetë armë gjatë ahengjeve të ndryshme familjare.
Ndërkohë, deri më tash, janë shënuar tri plagosje. Kaq së paku janë raportuar. E, derisa policia, edhe pse ka shtuar kapacitetet në përpjekje që të parandalojë raste të këtilla dhe të vetëdijësojë qytetarët se gëzimi nuk festohet me armë, Egzoni dhe familja e tij ende po merren me pasojat e asaj dite tragjike.
Ai që e ka parë tërë ngjarjen, është Sadik Makiqi, kushëriri i Egzonit. “Ai më tha se e ka kafshu gjarpri. Kur e ka hequr bluzën, e kam parë se shumë gjak i rridhte nga poshtë shpina“, thotë Sadiku për Express.
Sadiku tregon se e ka marrë një bluzë, me të cilën ia ka lidhur plagën fëmijës, e më pas ka kërkuar ndihmë nga disa persona që ndodheshin aty afër në një pikë karburanti.
“Me veturë shpejt e kemi nisur drejt Qendrës Emergjente në Vushtrri, e nga aty me urgjencë na është thënë se duhet djalin ta nisim për në Spitalin e Prishtinës”, rrëfen Sadiku.
Ai tregon se atë ditë, gjatë gjithë kohës, prej se ishin nisur nga shtëpia e tyre për t’i kullotur bagëtitë pak kilometra larg shtëpisë së Egzonit, kanë dëgjuar të shtëna armësh nga njerëz që festonin në ahengje të ndryshme.
”Prej shtëpisë, e deri te vendi që jemi ndalur dhe kemi filluar të luajmë letra e të kujdesemi për bagëtitë, kemi dëgjuar të shtëna armësh, e kështu ka vazhduar deri në momentin kur një plumb e qëlloi Egzonin......”, thotë ai.
E fëmija që e pësoi, qëndron i shtrirë.
Prindërit e kanë marrë gjatë fundjavës në shtëpi, për ta kthyer në dielën në mbrëmje sërish në klinikë.
Ai të dielën nuk mund të lëvizte fare. Ndërkohë, shumë miq e të afërm të kësaj familjeje e vizitonin atë dhe familjen e tij.
Babai i Egzonit, Nuredini, vetëm lutet që djali i tij të shërohet. Kjo për faktin e ai e ka kryer një operacion, por mjekët nuk kanë arritur t’ia heqin plumbin nga trupi.
Dyshohet se plumbi që e ka qëlluar Egzonin e vogël ka ardhur nga fshati Nedakovc i komunës së Vushtrrisë, i cili në vijë ajrore nuk është larg nga vendi ku është qëlluar Egzoni.
Policia është duke i zhvilluar hetimet në disa pista dhe shumë shpejt pritet të dalë me rezultate përfundimtare. /Telegrafi/