Thaçi e informoi Jahjagën për dialogun në Bruksel

11:48 / 26.02.2013

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti të martën në takim kryeministrin Hashim Thaçin, i cili e informoi për dialogun që po zhvillohet në Bruksel, ndërmjet qeverive të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kumtesën e Presidencës thuhet se kryeministri Thaçi e informoi presidenten Jahjaga për rrjedhën e takimit të fundit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave dhe për marrëveshjet e arritura në parim që priten të konkretizohen në takimin e radhës më 4 mars.

“Kryeministri tha se është arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore dhe të inteligjencës të Serbisë në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asociacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, si dhe të funksionalizohet sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave edhe me krijimin e dy gjykatave komunale, të Republikës së Kosovës në Leposaviq dhe në Zveçan”, thuhet në kumtesë.

Sipas Thaçit të gjitha zgjidhjet janë në kuadër të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që kanë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, dhe që janë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë qytetarët.

Ndërkaq, presidentja Jahjaga i dha mbështetje të plotë dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që po udhëhiqet nga kryeministrat e shteteve.

Ajo theksoi se dialogu po dëshmohet si e vetmja mënyrë e suksesshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, dhe se të gjitha marrëveshjet që po arrihen janë sipas standardeve dhe normave më të larta evropiane dhe në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, të sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të ingerencave të pushtetit në të gjithë territorin e shtetit. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.