Thaçi ende nuk e ka emëruar ministrin e Financave

18:34 / 13.02.2013

Është bërë një muaj që kur Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Financave. Ai po përgatitet për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës. Mandati i guvernatorit aktual përfundon në fund të marsit. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka emëruar një ministër të ri në Ministrinë e Financave.

Tash e një muaj, Ministria e Financave udhëhiqet nga një zëvendësministër. Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje para një muaji. Synimi i tij është posti i Guvernatorit të BQK-së. Mandati i guvernatorit aktual është deri në fund të marsit. Deri atëherë, sipas burimeve të Radio Kosovës, Ministria e Financave do të udhëhiqet nga zëvendësministri. Sipas këtyre burimeve, Qeveria nuk do ta emërojë askënd në këtë ministri, për faktin se, në rast se ministri i dorëhequr, Bedri Hamza, nuk e merr mbështetjen e Kuvendit për guvernator, atëherë mund të kthehet prapë në krye të Ministrinë e Financave.

I kontaktuar nga Radio Kosova zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka dashur të flas lidhur me këtë. “Kryeministri vendos për atë çështje”, ka thënë shkurt ai në një mesazh telefonik.

Radio Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e dorëhequr, Bedri Hamza dhe me zëvendësministrin Ramadan Avdiu, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, Ali Sadriu, kryetar i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, vlerëson se sidomos posti i ministrit të Financave është një pozicion tepër i rëndësishëm në secilën fazë në Kosovë, për shkak të problematikave me të cilat përballet vendi.

“Mendoj që një vakuum i tillë jo që nuk është i mirë, por është shumë i dëmshëm, për momentin. Sado që aty ka një zëvendësministër me sa e di unë, megjithatë, pozita e ministrit është diçka tjetër dhe sigurisht se ai vakuum ndihet”, tha Sadriu, për Radio Kosovën.

Sipas Sadriut, i cili e ka udhëhequr këtë ministri në periudhën 2002-2004, mungesa e ministrit në krye të Ministrisë së Financave, pa dyshim se sjellë pasoja për sektorin e financave.

Ndryshe, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Financave më 14 janar, siç ka thënë ai, për motive familjare dhe të karrierës personale. E ndërkohë nga paneli i Bankës Qendrore të Kosovës, është renditur i dyti në listën së kandidatëve për Guvernator të BQK-së, që do t’i shkojë Kuvendit të Kosovës për miratim. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.