Thaçi: Kryeministër jam unë

21:34 / 22.12.2012

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se platforma e Serbisë për Kosovën, është zhurma e fundit që po bën Beogradi dhe si e tillë ajo është e parealizueshme. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës kryeministri Thaçi ka thënë se është i gatshëm të bashkëqeverisë me AAK-në, por jo edhe t’ia lëshojë postin e kryeministrit Ramush Haradinajt.

Platformën serbe për Kosovën, kryeministri Thaçi e ka cilësuar si një projekt të ri të presidentit serb, Tomislav Nikolic, që nuk do të realizohet në Kosovë.

“Është një projekt për konsum të brendshëm, është një projekt kundër paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe një projekt anti evropian. Unë jam konsultuar me të gjitha autoritetet në Bruksel dhe Ëashington. Prandaj, qëndrimi i Prishtinës është shumë i qartë, i njëjtë dhe i koordinuar me SHBA dhe BE-në. Pra ai projekt, nuk do të ketë ndonjë validitet për Kosovën, nuk do të jetë i realizueshëm në Kosovë dhe do të mbetet në sirtarët e Beogradit dhe në dëshirat e parealizuara të Beogradit në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Lidhur me sovranitetin e vendit që po sfidohet në veri, ku nuk pranohen dhe nuk njihen institucionet e Prishtinës, Thaçi thoit se sovraniteti i Kosovës është cenuar shpeshherë nga Beogradi, por ndryshimi ka ndodhur më 25 korrik të vitit të kaluar, kur definitivisht është shuar njëherë e përgjithmonë ëndrra e Beogradit për ndarjen e Kosovës.

“Tash është duke u bërë zhurma e fundit e Beogradit në raport me Kosovën. Serbia dhe liderët në Serbi, janë të vetëdijshëm se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe diçka të tillë në takime të mbyllura edhe me diplomatë e kanë pranuar dhe e pranojnë. Por, natyrisht se ata punojnë edhe për opinionin e tyre të brendshëm që të thirren ende në emër të Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Sipas tij për zgjidhjen e çështjes së veriut gjërat do të lëvizin më shpejt pas vitit të ri. “Orientimisht fundi i pranverës, fillimi i verës së vitit të ardhshëm, mendohet që të përmbyllet procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë- Serbi, që do të nënkuptonte një normalizim sipas standardeve dhe vlerave evropiane që do të përmbyllej në të ardhmen jo të largët edhe me njohjet reciproke ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe integrimin e vendeve tona në NATO dhe BE, jo vetëm Kosovës dhe Serbisë, por gjithë rajonit”
Ndërsa lidhur me ngecjen në reformën kushtetuese e zgjedhore, kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se “të gjithë pajtohemi që procesi i votimit të jetë sa më i thjeshtë”.

“Ka ende mendime të ndryshme, po jemi edhe përfaqësues të partive të ndryshme. Por, jemi duke diskutuar që ky proces të lëvizë më shpejt, por unë jam optimist që po ndërtohet gradualisht një konsensus i mjaftueshëm që do të lëvizte gjërat përpara. Na ka ndodhur një pështjellim i panevojshëm apo një gabim profesional nga LDK-ja që ka dërguar në Gjykatën kushtetuese interpretimin e amendamentit të dhjetë dhe tash kemi vendimin e gjykatës që na ka krijuar një situatë të re dhe skena politike kosovare vazhdimisht ka respektuar vendimet e gjykatës kushtetuese. Por, unë besoj që çështjen e presidentes e kemi ndarë anash për të punuar për reformat tjera elektorale që ndërlidhen me sistemin zgjedhor, me zonat zgjedhore, me pragun zgjedhor por edhe me respektimin dhe garantimin e të drejtave të afirmuara të komuniteteve joshqiptare”.

Kryeminsitri ka folur edhe lidhur me për ofertën e lideri të AAK-së , Ramush Haradinaj për bashkëqeverisje, por me kërkesën që atij t’i lihet posti i kryeministrit.

“Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht stabile, mazhoranca është e fuqishme, ka një kredibilitet të fuqishëm edhe qytetar. Është ekipi me i mirë qeverisës në historinë politike të Kosovës. Rikthimi i zotit Haradinaj, ka qenë lajm shumë i mirë për atë personalisht, familjen e tij, shoqërinë, shtetin e Kosovës, për luftën që e kemi zhvilluar. Ne jemi takuar dhe kemi biseduar zyrtarisht, por edhe miqësisht. Jemi dakorduar të punojmë fuqishëm, bashkërisht për të ardhmen e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, për reformat elektorale, të ardhmen evropiane, për reforma të tjera të nevojshme demokratike, për dialogun, kanë marrë përgjegjësi AAK në këtë proces, duke emëruar presidentja e Kosovës zotin Shala si koordinator politik. Jemi duke bashkëpunuar shumë ngushtë. Zoti Shala e ka pasur dhe do ta ketë përkrahjen time të plotë. Ndërsa, gjithashtu është shprehur vullnet i dyanshëm që të punohet për një partneritet strategjik ndërpartiak, ndërsa për çështjet tjera, nuk është diskutuar”, ka thënë Thaçi, duke bërë të ditur se lidhur me një bashkëqeverisjeje të mundshme PDK-AAK para zgjedhjeve, është një vullnet i dyanshëm që të diskutohet seriozisht rreth kësaj çështjeje.

“Mendoj që gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur dhe me një vullnet të përgjegjshëm shtetëror, politik dhe kombëtar mes PDK-së, AAK-së, duke pasur gjithmonë si bazë dhe si fuqi realitetin aktual të mazhorancës qeverisëse të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke bërë të qartë se nuk do të lëshojë postin e kryeministrit.

“Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha obligimet tona të marra nga besimi dhe kontrata që kemi me qytetarët e Kosovës”, tha kreu i ekzekutivit të vendit. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.