Thaçi: Marrëveshja me Serbinë, pas 100 vite të konfliktit

12:57 / 2.05.2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të enjten se një prej sukseseve të periudhës së fundit, që është edhe shpresë për të ardhmen e sigurt jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë dhe gjithë rajonit, është marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo pas 100 vitesh të konfliktit.

Thaçi këto komente i bëri pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu.
Kryeministri theksoi se deri më tani shteti i Kosovës është njohur nga 31 vende të kësaj organizate.

“Sot Kosova si shtet i pavarur dhe sovran po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë, po arrin progres të jashtëzakonshëm, të pakrahasuar me vendet tjera për këtë periudhë të shkurtë të pas shpalljes së pavarësisë, periudhës pesë vjeçare. Informova z.Ihsanoglu edhe për njohjet e reja që po i vijnë Kosovës dhe njohjet tjera që janë në pritje, që do të vijnë në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Thaçi.

“Natyrisht se një prej sukseseve të periudhës së fundit, besoj që është edhe shpresë për të ardhmen e sigurt jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë dhe gjithë rajonit, është marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo pas 100 vitesh të konfliktit, e arritur për herë të parë në mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh kryeministri.

Thaçi tha se periudhat kohore të zbatimit të marrëveshjes janë të qarta dhe të prezantuara dhe Kosova e ka aprovuar dokumentin e prezantuar nga kabineti i baroneshës Ashton.

“Presim në ditët e ardhshme edhe Serbia ta aprovojë dhe të fillojë implementimi në terren i kësaj marrëveshje, implementim ky që do të ndryshojë gjërat për të mirë edhe në Kosovë, por para së gjithash për qytetarët që jetojnë në veri...”, u shpreh Thaçi.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu tha se OBI ka qenë gjithmonë në përkrahje të pavarësisë së Kosovës. Ai tha se pothuajse një e treta e shteteve që e kanë njohur Kosovën janë anëtarë të OBI-së dhe së fundi Pakistani dhe Guanama e kanë njohur pavarësinë.

Ai ndër të tjera tha se presin që në të ardhmen të ketë edhe njohje të reja. Sipas tij, OBI do të vazhdojë të mobilizojë shtete anëtare që të njohin pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.