Thaçi: Marrëveshja, zgjidhja e vetme dhe e fundit

21:33 / 18.04.2013

Marrja e ftesës nga baronesha Ashton që t’i kthehemi edhe njëherë dialogut në Bruksel, është shenj i mirë se Serbia ka parë definitivisht realitetin e ri dhe se ato që parasheh kjo marrëveshje janë zgjidhja më e mirë dhe e fundit, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

“Ne do të vazhdojmë edhe nesër takimet në Bruksel. Realisht kthimi ynë nga Lubjana në Bruksel është bërë me kërkesën e baroneshës Ashton dhe të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Kosovës ka punuar në mënyrë shumë aktive dhe profesionale dhe ka prezantuar qëndrimet e veta që janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, qëndrime këto të cilat janë në përputhje me dokumentin përfundimtar të baroneshës Ashton, ndërsa pala serbe ka refuzuar”, ka thënë kryeministri Thacci për RTV21.

“Pra ftesa për t’iu rikthyer bisedimeve është një reflektim i mirë i Serbisë për t’iu rikthyer marrëveshjes përfundimtare. Siç është bërë e ditur për opinionin publik definitivisht është e qartë se do të kemi një funksionalizim tç plotë e unik të drejtësisë. Gjithashtu do të jetë një sistem i vetëm policor në tërë territorin e Republikës së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë ai.

“Serbia mund të deklaroj atë çka dëshiron të deklaroj por realiteti është krejt ndryshe. Me marrëveshjen e propozuar nga baronesha Eshton, i jepet e drejt Kosovës të përfaqësohet në organizatat rajonale e ndërkombëtare, për t’u anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike – NATO, OSBE, por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj edhe sa përket çështjes së normalizimit të situatës në veri të gjitha përgjegjësitë do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit, me ligjet e Kosovës, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kurse sistemi juridik, gjyqësor dhe ai policor do të jenë unik për tërë vendin. Ndërsa në të njëjtën kohë është planifikuar që në këtë pjesë të vendit të bëhen zgjedhjet lokale gjatë vitit 2013 apo në pranverë të vitit 2014 sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë kryeministri.

“Institucionet e Kosovës do të monitorojnë në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve të cilat do të organizohen sipas standardeve evropiane dhe legjislacionit të Kosovës. Do të ndodhin këto zgjedhje për herë të parë në Kosovë, në këtë pjesë të Kosovës sipas ligjit të Kosovës e prej tyre le të dalin pastaj liderët lokal legjitim cilët do të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës në nivel lokal e qendror e deri te sistemi i investimeve i cili do të shtrihet edhe në këtë pjesë të Kosovës”.
Kryeministri Thaçi ka thënë se “është paraparë që deri më 26 prill të kemi të gatshme edhe agjendën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke përfshirë afatet dhe bartësit e implementimit të pjesëve të Rezolutës veç e veç”.

“Akterë implementues do të jenë institucionet e Republikës së Kosovës kurse Serbia do të ndihmojë duke lehtësuar krijimin e kushteve më të mira për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Gjithashtu do të jetë edhe një Komitet Implementues i cili do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Implementimi i marrëveshjes parasheh gjithsesi shpërndarjen e të gjitha strukturave paralele në veri, pastaj jetësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në atë pjesë të Kosovës. Unë edhe dje kam pasur takim me përfaqësuesit e NATO-së në Bruksel, dhe u vlerësua me këtë rast se arritja e kësaj marrëveshjeje lehtëson angazhimin e NATO-së në proceset e saja të ardhme”.

“Pasi te pala kosovare nuk ka asnjë dilemë pasi ne jemi pajtuar me propozimet e baroneshës Eshton, te cilat janë të lidhura me idetë dhe sugjerimet tona që i kemi pasur edhe më herët. Prandaj ne kemi përputhshmëri me qëndrimet me baroneshën Eshton. Pasi ne i morëm ftesën për t’iu rikthyer dialogut, po mendojmë se Beogradi tash ka ndryshuar qëndrimin për çështjet kontestuese. Aprovimi i marrëveshjes është zgjidhja e fundit, tjetër nuk ka. Në të kundërtën, Serbia do të ngel një vend i izoluar por edhe ne do të kemi pasoja në zhagitjen e disa proceseve, zbatimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për normalizimin e gjendjes së sigurisë në veri si dhe në proceset e tjera integruese evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.