Thaçi: Pengesat për liberalizimin e vizave janë në Bruksel

15:58 / 13.02.2013
Mosuniteti i vendeve të Bashkimit Evropian rreth statusit të Kosovës po ndikon në vonesat që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE-së, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Thaçi duke iu referuar dialogut me Beogradin, ka thënë se në fund të dyja vendet do të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve duke gjetur edhe një zgjidhje për integrimin e komunitetit serb në veri në kuadër të institucioneve të Kosovës.

“Ne deri tash kemi zhvilluar katër takime me kryeministrin Daçiq, me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e baroneshës Catherine Ashton. Takimet kanë qenë, mund të them lirisht produktive dhe konstruktive. Dua të besoj që takimi i ardhshëm, e në veçanti edhe pas takimit që ka ndodhur mes presidentëve, zonjës Jahjaga dhe presidentit Nikolic, paraqet një frymë të re. Kështu që, ky takim, që do të ndodhë në të ardhmen e afërt, do të jetë një kapitull i ri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe te Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, serbët në Kosovë apo një etni në Kosovë do t\'i gëzojë të drejtat e barabarta në gjithë territorin që jeton.

“Nuk do të ketë etni me të drejta të standardeve të dyfishta në territorin e Kosovës, e kjo nuk do të vlejë as për serbët. Ndërsa, oferta jonë është jashtëzakonisht gjeneroze. Është një ofertë që është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me standarde evropiane, një ofertë integruese”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, gjendja në veri është e ndryshme nga pjesët tjera të Kosovës. Ai ka thënë se është një gjendje e padurueshme që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë.

“Kosova është një dhe unike. Ne do të respektojmë gjithmonë procesin integrues, e në asnjë rrethanë ndonjë proces izolues apo që hap kapitull të status quo-së, por që hap një kapitull të funksionalizimit normal të shtetit të Kosovës”, vlerësoi Thaçi.

Sipas tij, pesë vite pas pavarësisë Kosova është ndryshe, është një subjektivitet i respektuar dhe i nderuar ndërkombëtarisht.

“Kemi fituar rreth 100 njohje ndërkombëtare. Jemi anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën për Zhvillim e Rindërtim dhe jemi në proces të anëtarësimit në shumë mekanizma rajonal e ndërkombëtar. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Për çdo vit, Kosova ka pasur rritje për rreth katër për qind. Është rritur mirëqenia sociale e qytetarëve. Në këto pesë vite kemi hapur kapitullin e Kosovës së re, Kosovës demokratike, Kosovës evropiane. Jemi në rrugë të mirë për procesin e integrimeve euroatlantike. Mendoj që këto pesë vite kanë qenë vite të suksesit, të vlerësuar nga ana e qytetarëve, por edhe vite të progresit të vlerësuar nga bashkësia ndërkombëtare...”, u shpreh Thaçi.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, kreu i ekzekutivit tha se ngecjet për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk janë teknike, janë kryekëput politike dhe se këto pengesa janë në Bruksel dhe ndërlidhen drejtpërdrejtë me mos-unitetin e vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket statusit politik të Kosovës. Kjo vonesë e Brukselit është e padrejtë në raport me Kosovën.

“Ne jemi trajtuar si qytetarë të rëndit të dytë dhe në ish-Jugosllavi dhe tash nuk dua të besoj dhe të bëj krahasime të tilla se diçka e tillë mund të ndodhë edhe nga Bashkimi Evropian. Ne jemi rreth 2 milionë qytetarë, jemi njerëz që e njohim dhe e kuptojmë Evropën. Jemi evropianët më të rinj dhe padrejtësisht po vonohemi për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Thaçi. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Teknologji
13:30 / 17.06.2013
Samsung nxjerr version edhe më të shpejtë të Galaxy S4

Samsung nxjerr version edhe më të shpejtë të Galaxy S4

Samsung është duke planifikuar të lëshojë versione të ndryshme të telefonit të saj kryesor, Galaxy S4, përkatësisht e...
Ekonomi
8:49 / 18.06.2013

Dita e fundit e samitit të G8

Samiti i ekonomive udhëheqëse të botës i njohur si G8-ta përfundon sot në Irlandën e Veriut.
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.