Thaçi po “luan” me Kushtetutë

10:55 / 4.06.2013

Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që në Nenin 1, pikën 4 të Kushtetutës të futet një nen i cili e obligon Republikën e Kosovës që të mbrojë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, shihet më shumë si lojë politike sesa lëvizje pragmatike e kryeministrit për Luginën.

Analistët politikë thonë se Kosova duhet t\'i mbrojë shqiptarët me politika konsistente dhe diplomaci të urtë, por jo me Kushtetutë, sepse kjo ngjall dyshime për pretendime territoriale ndaj një shteti sovran.

Ndërsa përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës konsiderojnë se në kuadër të kësaj loje politike, duan që ta bëjnë realitet idenë që çështja e Luginës të futet në preambulën kushtetuese, shkruan “Zëri”.

Ish-udhëheqësi politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, i cili aktualisht është kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, konsideron se çështja e Luginës nuk ka të bëjë asgjë me Kushtetutë. Sipas tij, nëse përfaqësuesit qeveritarë dhe politikë në Kosovë nuk e shohin çështjen e Luginës si çështje vëllazërore atëherë nuk kanë pse i prekin çështjet kushtetuese.

“Çështjet kushtetuese nuk duhet të preken sa për të bërë politikë dhe të bëhen llafe në Kuvendin e Kosovës. Unë edhe më herët kam kërkuar nga Hashim Thaçi, që të mos e presë Daçiqin, le të vijë në Luginë dhe le ta shohë gjendjen sepse ajo ka ndryshuar nga vitet 90-ta nuk jemi më në këto vite”, ka thënë Musliu. Madje sipas Musliut, çështja e Luginës është dashur të shtrohet që nga Rambujea, Vjena dhe së fundi në Bruksel.

“Tash është treni i fundit që duhet të futet Kosova me Serbinë në reciprocitet. E thotë edhe Thaçi e edhe të tjerët se shqiptarët në Luginë i kemi vëllezër. Vëllazëria nuk bëhet vetëm me fjalë, por me vepra”, ka thënë Musliu.

“Kjo është lojë dhe në kuadër të kësaj loje nëse duan që këtë preambulë ta fusin në Kushtetutë atëherë atë duhet bërë realitet. Duhet të thuhet definitivisht se kjo pjesë është Kosovë”, ka thënë Musliu.

Analisti nga Lugina e Preshevës, Belgzim Kamberi, ka thënë se shqiptarët e Luginës kanë kërkuar nga Prishtina zyrtare që çështjen e Luginës dhe të drejtat e shqiptarëve t’i shtrojë në parim të reciprocitetit me Serbinë në kuadër të bisedimeve dhe kjo deri më tash nuk ka ndodhur. Sipas tij, më me rëndësi është që të shtrohet çështja e Luginës në bisedimet me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi se sa të futet në Kushtetutë një nen i tillë”, ka thënë Kamberi.

Politikanët nga Lugina kanë kërkuar që të standardizohen të drejtat e pakicave. Edhe po të futet ky nen në Kushtetutë nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket çështjes së Luginës.

Ndonëse edhe kjo, nuk është e parëndësishme porse me rëndësi është që të ketë rezultate konkrete në praktikë”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se për t’u përmirësuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë duhet qeveria e Beogradit të bëjë ndryshime në kushtetutën e saj.

“Qeveria e Serbisë është ajo që mund t’i përmirësojë të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Prishtina mund ta ketë një kontribut duke kërkuar reciprocitet të të drejtave të pakicave”, ka thënë Kamberi.

Ndërkaq, Erzen Vraniqi nga lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë se tentimi që me pikën e parë të rezolutës të futej në Kushtetutë "kujdesi" që Republika e Kosovës do ta bëjë ndaj Luginës së Preshevës e ka qëllimin krejt dikund tjetër.

“Me këtë u tentua që t\'i hapej rrugë ndryshimeve kushtetuese që parashihen me marrëveshjen politike në Bruksel për t’u akomoduar entiteti autonom serb që po krijohet në veri të vendit”, ka thënë Vraniqi.

Prandaj, sipas tij, çështja e shqiptarëve në Luginë në fakt ishte tentim-mashtrimi tendencioz i tyre dhe gjithë opinionit për ta iniciuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, konform obligimeve që Hashim Thaçi i ka marrë në Bruksel.

Për analistin Halil Matoshi çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një çështje demokratike e të drejtave civile dhe të njeriut dhe nuk ka të bëjë asgjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kjo çështje duhet të ngrihet në nivele diplomatike me Brukselin, përkatësisht me Beogradin zyrtar. Mirëpo, si problem demokratik brenda Republikës së Serbisë nuk mund të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës, përndryshe me këtë i jepet legjitimitet preambulës së Republikës së Serbisë e cila e mban Kosovën brenda saj”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, Kosova duhet t\'i mbrojë shqiptarët me politika konsistente dhe diplomaci të urtë, por jo me Kushtetutë - sepse “kjo ngjall dyshime për pretendime territoriale ndaj një shteti sovran!”. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.