Thaçi: Qeverisë po i vjen fundi
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi mbrëmë se qeverisjes aktuale, VMRO-DPMNE dhe BDI, po i vjen fundi. “Tashmë gjithçka është e qartë, kjo politikë qeveritare ishte tepër e dëmshme dhe po i vjen fundi. Ju lutem hapni dyert dhe hapni zemrat tuaja edhe për ata shqiptarë që nuk kanë qenë me ne në këto vite. Nëntëdhjetë e nëntë përqind e tyre duan të shpëtojnë nga ky turpi, nënçmimi, nënshtrimi dhe shtypja që ju bën VMRO-DPMNE-ja dhe Gruevski", deklaroi Thaçi në kuvendin zgjedhor në komunën e Studeniçanit, ku kandidat për kryetar në zgjedhjet e ardhshme lokale u zgjodh Azem Sadiku.
Sipas Thaçit, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një pikënisje e rikthimit të situatës, ndryshimit të situatës, përmirësimit të jetës sonë dhe realizimit të qëllimeve tona.
"Fitorja e kësaj partie, këtij opsioni, dhe këtij programi, në këto zona siç është zona e Studeniçanit, do të jep një mesazh për të gjithë opinionin, faktorit politik maqedonas dhe të tjerëve, se PDSH-ja gjithkund ku ka shqiptarë është e interesuar të mbrojë ata shqiptarë, votën e tyre, familjet e tyre dhe perspektivën e tyre. Për në fund kam edhe një porosi për ju, të gjithë ata vëllezër që do ti shikoni se qëndrojnë me kokën ulur zgjatjani dorën dhe thoni që dorëzimi është faqja e zezë, “lufta” për të drejta dhe për perspektivë është faqja e bardhë”, deklaroi Thaçi, transmeton INA.
Kandidati për kryetar të Studeniçanit, Azem Sadiku, i njohur si ish-kryetar i komunës ka theksuar se do të përkushtohet për fitore dhe për ndryshimin e gjendjes në komunën e Studeniçanit. /Telegrafi/