Thaçi: Serbia t’i largojë forcat e sigurisë nga veriu i Kosovës

23:07 / 17.01.2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Serbia duhet të pushojë së foluri për autonominë e veriut të Kosovës dhe se në vend të kësaj duhet të tërheqë e sigurisë nga ajo pjesë e shtetit, raporton EuObserver.

Thaçi e dha këtë deklaratë para bisedimeve me kryeministrin serb Ivica Dacic dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë dhe siguri të jashtme, Catherine Ashton.

“Platforma serbe s’ka asnjë vlerë. Ky është vetëm mendimi i tyre i brendshëm politik”, tha ai.

Ministrat e jashtëm të BE-së kohët e fundit kanë arritur në përfundimin se Kosova duhet të ketë një administratë të unifikuar, por ata gjithashtu arritën në përfundimin se Kosova duhet të respektojë dhe të kuptojë "nevojat individuale" të serbëve etnikë.

“Janë dy çështje: së pari që kryeministri Dacic të marrë përgjegjësinë për largimin e strukturave paralele të sigurisë në pjesën veriore të vendit tonë, dhe këto janë forca të ministrisë së tij të Brendshme”, tha Thaçi, duke shtuar se çështja dytë është përgjegjësia e tij për të siguruar integrimin e serbëve në veri të Kosovës.

Ai madje premtoi se do të krijojë një "fond zhvillimi" për të përmirësuar dhe zhvilluar arsimin, kujdesin shëndetësor dhe asistencën sociale në veri të Kosovës.

“Do të respektoj formimin e një organizate të komunave etnike serbe, e cila do të inkurajojë njerëzit që jetojnë atje të ndjehen mirë në lidhje me veten e tyre”, tha Thaçi, i cili theksoi se veriu i Kosovës është rajon i pasigurt për shqiptarët dhe policinë e Kosovës dhe se edhe EULEX-i aty aksionet i ndërmerr në minimum.

“EULEX-i duhet të bëjë më shumë për të promovuar integritetin territorial. Ne nuk mund të jenë të kënaqur me atë që ka bërë EULEX-i në veri të Kosovës. Një nga prioritetet e tyre do të duhej të ishte prania në veri”, tha kryeministri i Kosovës.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë për të përdorur “dhunën” për të rikthyer veriun nën kontrollin e tij. Megjithatë, përshëndeti aksionin e përbashkët të BE-së dhe forcave të sigurisë së Kosovës që kanë kthyer kufijtë në mbikëqyrjen e Kosovës.

“Pa ndërhyrje ne nuk do t’i kishim këto negociata”, tha Thaçi i cili është i Sigurt se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE nëse nuk instalon rrugën evropiane fillimisht me Kosovën.

“Për ata nuk ka ardhmëri evropiane nëse nuk kanë raporte fqinjësore me Kosovën me njohje reciproke”, ka theksuar Thaçi.

Ndryshe, në Bruksel, pas orës 20:00 ka filluar takimi trepalësh ndërmjet kryeministrave Thaçi e Dacic, dhe baroneshës Ashton. Takimi është duke u zhvilluar në kabinetin e Catherine Ashton, e cila para kësaj pati takime të ndara me secilin nga dy kryeministrat.

Është paralajmëruar që në darkën e punës, pos zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve kufitare, për herë të parë do të bëhet fjalë edhe për veriun e Kosovës.

Pritet që pjesëmarrësit në takim më vonë do të prononcohen për gazetarët. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.