Topi viziton Kosovën, “bojkotohet” nga Thaçi
Nuk dihet nëse kjo do të jetë vizita e fundit jashtë vendit si president, por Bamir Topi do ta vizitojë edhe njëherë Kosovën si kreu i shtetit shqiptar.Me ftesë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe në krye të delegacionit zyrtar, në përbërje të të cilit do të jenë krerë të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe deputetë, do të zhvillojë vizitë dyditore.
Fillimisht do të takohet me Jahjagën ku të dy homologët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, njofton "Shekulli".
Topi gjithashtu do të zhvillojë takime me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me zv.kryeministrin, Behgjet Pacolli, kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe me të tjera personalitete të larta shtetërore. Topi po ashtu pritet të mbajë një fjalim në Kuvendit e Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës, presidenti i Shqipërisë do të bëjë homazhe për nder të komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës në Gllogjan, si dhe do të zhvillojë një vizitë në qytetin e Gjakovës, transmeton “Zëri”.
Në këtë agjendë të zyrës së shtypit të Topit, mungon takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. /Telegrafi/