Trafikantët e drogës “viktima të Brukselit"
Polica e Kosovës, vetëm në javët e fundit në operacione të ndryshme ka konfiskuar mbi gjysmë toni substanca narkotike, të cilat ishin të destinuara për vendet rajonale. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se ky rezultat i Policisë së Kosovës ka ardhur pas kërkesës së Brukselit, i cili tashmë i ka përcaktuar kriteret për anëtarësim në BE.“Imazhi i Kosovës tashmë është i dëmtuar për faktin se agjencitë më të njohura ndërkombëtare të Brukselit dhe vendeve të tjera e kanë identifikuar Kosovën si vend i rëndësishëm transiti për drogë. Mirëpo tashmë Polica e Kosovës ka arritur rezultatet e para dhe kjo po bëhet në vazhdën e presionit nga Brukseli që të ketë rezultate më konkrete në këtë drejtim”, ka theksuar analist i sigurisë, Florian Qehaja.
Edhe profesori i Kriminalistikës, Fatmir Çollaku, ka theksuar se agjencitë ndërkombëtare e kanë thënë se Kosova është vend transit i drogës.
“Është një sukses i Policisë së Kosovës, mirëpo në opinionin ndërkombëtar padyshim e është një lajm i cili ka qenë i ditur për ta sepse shumë raporte të agjencive ndërkombëtare është ditë se Kosova është një vend transit dhe kjo vetëm sa e ka konfirmuar këtë”, ka deklaruar Çollaku.
Analistët e sigurisë thonë se Kosova shërben si vend transit edhe për trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar. Sipas tyre, mungon bashkëpunimi me vendet rajonale kundër krimit të organizuar për shkaqe politike, raporton RTK. /Telegrafi/