Trupi i pajetë i Muhamet Kerellajt gjendet në Drin
Policia ka gjetur trupin e pajetë të viktimës Muhamet (Rexhë) Kerellaj (1961), banues në fshatin Shtupel të Klinës, i cili ishte zhdukur që nga data 9 qershor. Trupi i viktimës është gjetur në lumin Drin në fshatin Zllakuqan të Klinës.Sipas policisë, familja kishte njoftuar se Muhamet Kerellaj ishte larguar nga shtëpia rreth orës 12:00 të datës 9 qershor. “Familjarët kanë raportuar në stacionin policor në Klinë duke dhënë edhe përshkrimin e tij dhe nga ai moment i raportimit, menjëherë efektivë policorë lokalë dhe të atyre rajonalë janë angazhuar në kërkim të tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia sot (12.06) rreth orës 08:20 ka pranuar informatën tjetër nga familjarët e viktimës se në lumin Drin në fshatin Zllakuqan të Klinës rreth 400 m. larg urës së re kishin vërejtur një trup njeriu të zhytur nën ujë.
Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë në rajonin e Pejës njofton se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ekipi mjekësor dhe mjekësia ligjore për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe Njësia e Zjarrfikësve ka nxjerrë trupin e pajetë.
Me vendim të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar në ekzaminim të mëtejshëm në Institutin Mjeko-Ligjor në Prishtinë për të konstatuar rrethanat e vdekjes.
“Rasti do të hetohet dhe procedohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale DRP Pejë”, ka thënë Ibra. /Telegrafi/