Turqia akuzon Sirinë për vrasjen e 40 turqve

19:24 / 11.05.2013

Turqia i ka fajësuar forcat e Sirisë për dy sulme me makina – bomba, nga të cilat janë vrarë 40 vetë dhe plagosur më se 100 të tjerë, në një qytet të Turqisë afër kufirit me Sirinë.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinc, tha se lojalistët e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, ishin “të dyshuar të zakonshëm” për sulmet e sotme në qytetin Rejhanli.

Ai tha se Ankaraja do ta kryej një hetim para se të vendos për ndonjë përgjigje eventuale.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, tha se Ankaraja do të “ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme” për ta mbrojtur vetveten.

Raportohet se disa sirianë ishin në mesin e viktimave, nga shpërthimi i bombave në ndërtesën e komunës dhe të postës në Rejhanli.

Më se 300 mijë refugjatë kanë kërkuar strehim në Rejhanli, prej se ka filluar kryengritja kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmi mund të jetë i ndërlidhur me luftën civile në Siri ose me procesin paqësor të Turqisë me militantët kurdë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.