U zgjodh emblema e Komunës së Mitrovicës

14:05 / 24.02.2011

Pas 12 vitesh përpjekje që prej përfundimit të luftës, Komuna e Mitrovicës u bë me emblemë. Ky vendim është marrë të enjten në seancën e Kuvendit të Komunës me 29 vota për, 4 kundër dhe 8 abstenime. Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, e ka cilësuar si vendim shumë të rëndësishëm për Mitrovicën dhe për qytetarët e saj.

Në njoftimin e komunës së Mitrovicës thuhet se paraprakisht për propozimin e emblemës me shifrën “Tanushi” është zhvilluar një debat, për të cilën paraprakisht kishte vendosur një komision pesë anëtarësh në mënyrë unanime.

Kryesuesi i KK-së, Rrustem Musa, tha se Komisioni për përzgjedhjen e emblemës ka qenë i përbërë nga pesë anëtarë, prej të cilëve tre kanë qenë të opozitës në mënyrë unanime kanë vendosur për shifrën “Tanushi”. “Paraprakisht jemi pajtuar që nëse tre anëtarë vendosin për një propozim, atëherë të përkrahet edhe nga të tjerët”.

Ndërsa kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se emblema nuk prek interesat e partive, por të qytetarëve, andaj duhet të reflektojnë të gjithë pozitivisht në dobi të qytetarëve.

“Prej përfundimit të luftës Komuna e Mitrovicës nuk ka emblemë dhe kjo ka shkaktuar probleme të vazhdueshme, meqë në dokumentet zyrtare të komunës është dashur të vulosen me vulën e Republikës së Kosovës”.

Në ndërkohë para se të votohej, këshilltari i AAK-së, Qazim Shala, ka thënë se ky propozim është i opozitës. “Mitrovicës i duhet emblema andaj këshilltarët e zgjedhur nga qytetarët duhet të marrin vendim që kjo çështje të kryhet sa më parë, meqë është kaluar çdo kufi”.

Në anën tjetër, Safet Kamberi në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka paraqitur qëndrimin e tyre për abstenim nga kjo pikë e rendit të ditës. Ai ka theksuar se kanë vendosur për një gjë të tillë jo pse janë kundër emblemës, por për shkak të faktit se pozita e injoron opozitën zakonisht kur nuk ka nevojë për 2/3 e votave, siç është rasti me emblemë. “Kur i duhen votat e opozitës pushteti kërkon bashkëpunim, në rastet tjera e injoron”.

Pas kësaj, këshilltari i PDK-së, Ferid Jashari, ka kërkuar nga këshilltarët e LDK-së që të bëhen pjesë e këtij vendimi të rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës, meqë kjo nuk është çështje partiake as politike. Poashtu edhe Ukshin Rrecaj nga PDK-ja e ka vlerësuar të rëndësishme që të ketë unanimitet për gjëra të tilla.

Në fund ashtu si u paralajmërua thuhet se LDK-ja abstenoi në votim, 4 anëtarë të KK-së ishin kundër, ndërsa 29 të tjerë për, me çka u miratua propozimi për emblemë.

Përzgjedhja e kësaj embleme i ka dhënë fund maratonës për këtë çështje, meqë prej përfundimit të luftës janë hapur dhjetë konkurse, por asnjëherë nuk ishte arritur numri i mjaftueshme i votave për zgjedhjen e saj, thuhet në komunikatën e komunës së Mitrovicës. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.