Ulet vdekshmëria fëmijërore në botë
Numri i fëmijëve që vdesin para se të mbushin moshën pesëvjeçare ka rënë në mënyrë të ndjeshme në 20 vitet e fundit. Këtë gjë e bën të ditur UNICEF, sipas të cilit 6.9 milionë fëmijë në të gjithë botën kanë ndërruar jetë krahasuar me 12 milionë në vitin 1990.UNICEF thekson se ulja e vdekshmërisë fëmijërore ka ndodhur për shkak të pasurimit të disa vendeve shumë të varfra. Gjithashtu, marrja e masave për vaksinimin dhe ushqyerjen siç duhet të fëmijëve, ka ndikuar në uljen e rasteve.
“Vendet që kanë arritur rezultatet më të mira janë Lao, Timor Leste dhe Liberia. Këto janë vendet që gjithashtu kanë marrë më shumë ndihmë nga vendet e zhvilluara”, deklaroi për BBC drejtori i UNICEF-it për Britaninë e Madhe, David Bull, transmeton TCH.
Në të gjithë planetin, pesë arsyet kryesore që çojnë në vdekjen e fëmijëve para moshës pesëvjeçare janë pneumonia (18 për qind), komplikacionet para lindjes (14 për qind), diarrea (11 për qind), komplikacionet gjatë lindjes (9 për qind) dhe malaria (7 për qind). /Telegrafi/