Van Rompuy kërkon përmbushjen e reformave
Në konferencën e përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidenti i Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy vuri theksin te 12 prioritetet e vendit tonë ku u ndal në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.“Përgëzojmë Presidentin Nishani për nismat e tij, ndërsa i shpreh mbështetjen e Bashkimit Europian për angazhim më konstruktiv dhe në rrugën e reformave. Përpjekjet duhet të jenë maksimale për angazhimin në BE dhe duhet të merren hapa konkrete nga liderët politikë të cilët duhet të përmbushin reformat e kërkuara, për integrimin në BE”, u shpreh Van Rompuy, raporton noa.al.
Ai theksoi se BE është e vendosur që të bashkëpunojë me Shqipërinë për rrugën drejt Bashkimin Europian për të arritur në progres konkret, ku theksoi se duhet bërë më shumë punë për prioritete kyçe, pasi progresi është i nevojshëm.
Nga ana e tij Presidenti Bujar Nishani deklaroi se ndërsa pritet raport-progresi i Komisionit të Europës, e ka informuar Presidentin e KiE për progresin e arritur deri më tani dhe konsolidimin e sundimit të ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.
“Jemi të vetëdijshëm se kemi arritur mjaft si dhe për sfidat që ndodhen para nesh. E garantova Presidentin Van Rompuy për të bërë më të mirën në frymën e bashkëpunimit në mënyrë që të gjitha palët të jenë të angazhuara në proces. E garantova se Shqipëria do kontribuojë për paqen dhe rajonin si dhe një bashkëpunim më gjithëpërfshirës”, tha Nishani.
Në mbyllje të fjalës së tij Nishani falenderoi Van Rompuy për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për të vijuar dialogun edhe në të ardhmen. /telegrafi/