Varrosen mbetjet mortore të dëshmorit, Sadik Zeqiri
Mbetjet mortore të dëshmorit, Sadik Zeqiri, nga Kaçandolli i Mitrovicës, të gjetura para disa ditësh në lagjen Arbëri të Prishtinës, janë varrosur të martën në Varrezat e Dëshmorëve në Mitrovicë.Në ceremoninë e organizuar morën pjesë familjarë, drejtues të Komunës së Mitrovicës, mandej zyrtarë të institucioneve qendrore, përfaqësues të shoqatave të Luftës së UÇK-së etj, të cilët vlerësuan lartë veprën e dëshmorit, Zeqiri, i cili ish zhdukur më 25 maj 1999.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri theksoi se me zbulimin e eshtrave u vërtetua se Sadikun e kanë pushkatuar, ndërsa eshtrat e tij i kanë varrosur në Arbëri të Prishtinës për të humbur gjurmët e krimit, por sipas tij, gjurmët e krimit nuk humbin, nuk humbin as eshtrat e atyre që kanë luftuar për atdhe.
“Sot Sadiku po u bashkohet edhe shokëve të tjerë për t’u bërë roje e përjetshme e atdheut, për t’u bërë shembull frymëzimi për gjeneratat se për atdhe e liri nuk kursehet as jeta”, tha ai.
Sadik Zeqiri është lindur në fshatin Kaçanoll më 10 shtator 1950, ku e kaloj jetën deri në rënien e tij. Që në momentin e daljes së njësiteve të UÇK-së në Kaçanoll, së bashku me djalin e tij, Dritonin, njërin prej ushtarëve më të ri, iu bashkëngjit këtyre njësiteve. /Telegrafi/