Vazhdojnë gërmimet në Zhilivodë
Kryesuesit e Komisioneve Qeveritare për Persona të Zhdukur nga Kosova dhe Serbia, kanë realizuar një vizitë në Zhilivodë, ku po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të supozuara të jenë hedhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të dy komisionet u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur nga lufta e vitit 1999.Kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë se delegacioni nga Beogradi ka ardhur që të shoh nga afër punimet që po bëhen në këtë lokacion. Ai bëri të ditur se gërmimet në Zhilivodë, në vendit ku supozohet se ka mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë, pritet të përfundoj brenda këtij muaji.
Gërmimet në projektin e Zhilivodës kanë rifilluar javën e kaluar. Gërmimet kanë arritur deri në 25 metra dhe janë duke u kryer nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit Qeveritarë për të pagjetur të Serbisë, Velko Odalovic, ka theksuar se grupi Punues i Serbisë për të pagjetur, ka dhënë rezultate të caktuara, duke pas parasysh numrin e madh të personave të zhdukur. Qëkur ka filluar aktiviteti i Grupit punues, kanë qenë mbi 3 mijë persona të zhdukur, ndërkaq, siç ka thënë ai, aktualisht të zhdukur rezultojnë 1 mijë e 775.
“Të gjitha lokacionet, duke përfshirë Zhilivodën, Rudnicën, Petrovo Sellën, Batajnicën, Medvegjën dhe kërkesën e Prishtinës për një gërmim në afërsi të Kurshumlisë do të respektohen, ashtu siç po vepron edhe Prishtina me kërkesat tona”, ka thënë Odalovic, transmeton KosovaPress.
Sa i përket kërkesës së Prishtinës për të hapur arkivat ushtarake të Beogradit, me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, Odalovic ka thënë se Grupi punues kësaj çështjeje i ka dhënë rëndësi të madhe. Sipas tij, dokumentet janë dorëzuar. Ai ka pohuar se nuk ka arsye që këto dokumente të mos ndahen me delegacionin e Prishtinës.
“Kemi këmbyer një numër të madh dokumentesh... Përmes Grupit punues, i kemi dhënë për secilin rajon veç e veç”, ka thënë ai
Të rikujtojmë se në Kosovë ende rezultojnë edhe 1775 persona të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet gjë. /Telegrafi/