Vdes 46 vjeçari nga kafshimi i bletës?
Policia e Kosovës njoftoi se është duke e hetuar një vdekje në fshatin Novosellë të Pejës. Viktima kishte kërkuar nga shoku i tij (tani dëshmitar) t’i bënte të mundshme kafshimin nga bletët dhe kishte përcaktuar edhe vendet në trupin e tij se ku të kafshonin. Pas kafshimit të bletës i kishte filluar përkeqësimi i gjendjes shëndetësore dhe gjatë dërgimit për në spital ka ndërruar jetë.Në njoftimin e Policisë thuhet se më datën 10.10.2012 rreth orës 09:10, Policia është informuar se në fshatin Novosellë, komuna Pejë një person është dërguar për në spitalin rajonal me auto-urgjencë.
“Menjëherë efektivët policor janë angazhuar në këtë drejtim dhe kanë mësuar se shtetasi viktimë, Bedri S.(1966) së bashku me bashkëshorten e tij kishte shkuar tek shoku i tij S.P. në fshatin Novosellë komuna Pejë të kërkojë një terapi bletësh. Sipas dëshmitarëve viktima kishte vuajtur nga sëmundja e reumës dhe kishte dëgjuar se kafshimi i bletës do t’i ndihmonte”, bëhet e ditur në kumtesë.
Më të shkuar viktima ka kërkuar nga shoku i tij (tani dëshmitar) t’i bënte të mundshme kafshimin nga bletët dhe kishte përcaktuar edhe vendet në trupin e tij se ku të kafshonin.
“Ky dëshmitar(shok) ia kishte mundësuar, por pas pak çastesh ka filluar përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të viktimës i cili bie në gjendje kome dhe dëshmitarët kanë filluar për t’i ndihmuar, duke i dhënë një tabletë kundër alergjisë”, njofton Policia.
Menjëherë është njoftuar ndihma e shpejtë, ndërsa gjatë transportimit për në spitalin rajonal, përkundër përpjekjeve për ta shpëtuar viktima ka ndërruar jetë.
Lidhur me rast kanë filluar hetimet dhe është njoftuar edhe Prokurori Publik i çështjes,me vendim të cilit trupi i pa jetë është liruar që familjarët të kryejnë ceremoninë mortore të varrimit.
Rasti do të hetohet nga njësitet përkatëse dhe do të procedohet në Prokurori. /Telegrafi/