Veriu i Kosovës kërkon “autonominë e ’74-s"

18:20 / 16.03.2013
Zgjidhje e mundshme për veriun e Kosovës, e cila do të ishte e pranueshme për serbët që jetojnë në atë pjesë të vendit, do të mund të ishte një status i autonomisë, i ngjashëm me atë që ka pasur Kosova në vitin 1974.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave serbe, për të cilën po negociohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, do të ishte krejtësisht e papranueshme, nëse ajo nuk funksionon sipas ligjeve të Serbisë, thonë politikanët serbë të veriut të Kosovës.

Radenko Nedeljkovic, lider i serbëve të veriut të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni i komunave serbe - siç e quan Prishtina - ose Bashkësia e komunave serbe - siç e quan Beogradi - nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe për realizimin e të drejtave themelore të tyre.

Këto emërtime, sipas tij, janë farsë dhe hedhje e pluhurit në sy për popullin, nga të dyja anët, Prishtina dhe Beogradi, sepse siç thotë ai, pa institucionet serbe në Kosovë, serbët nuk mund të mbijetojnë.

“Populli serb në Kosovë mund të hyjë vetëm në ato institucione që janë të rregulluara dhe formuara sipas ligjeve të Serbisë. Ose, ja zgjidhja tjetër: le t’i marrë populli serb në Kosovë ato të drejta dhe ato kompetenca, të cilat Kosova i ka pasur sipas Kushtetutës së vitit 1974”, thotë Nedeljkovic.

Lideri tjetër i serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jaksic, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se serbët e veriut të vendit nuk do të pranojnë institucione që veprojnë sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas tij, çfarëdo marrëveshje eventuale ndërmjet kryeministrit serb, Dacic, dhe atij të Kosovës, Thaçi, e cila do të ishte e kundërt me vullnetin e serbëve të veriut, nuk do të pranohet nga këta të fundit.

“Nuk do të pranojmë që në veri të Kosovës të vlejnë ligjet e shtetit të Kosovës. Këtë nuk do të mund ta kalojmë, sepse ky është qëndrim që e ka shprehur populli edhe me referendum, ku e kemi sqaruar se nuk do t’i pranojmë ligjet e Prishtinës", ka thënë ai.

Një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Bashkësinë e komunave serbe, sipas liderëve serbë të veriut, nuk do të mund të realizohej në terren. Nedeljkovic thotë se marrëveshja e tillë do të ishte e ngjashme me, siç e quajti ai, “llogaritje pa hanxhiun”.

“DDo të thotë, populli serb i Kosovë nuk është i inkuadruar në këto bisedime dhe thjesht, kjo për të cilën Beogradi dhe Prishtina po bisedojnë, nëse populli serb në Kosovë nuk pajtohet dhe nuk e pranon, atëherë kjo do të ishte marrëveshje që nuk mund të zbatohet”, vlerëson Nedeljkoviq.

Por, Jaksic shpreh mendimin se nuk do të arrihet fare ndonjë marrëveshje për Bashkësinë e komunave serbe ndërmjet Daçiqit dhe Thaçit, për shkak të qëndrimeve të tyre krejtësisht të kundërta lidhur me këtë çështje:

Ndryshe, takimi i radhës në nivel kryeministrash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet të mbahet më 20 mars në Bruksel, ndërkohë që nga Bashkimi Evropian, ky takim vlerësohet se do të jetë i një rëndësie të veçantë. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Foto: Arkiv
Foto: Arkiv
 
 
Magazina
11:00 / 18.05.2013
Rooney Mara

Rooney Mara fytyrë e Calvin Klein

Aktorja e njohur, Rooney Mara, është bërë fytyra e re e brendit të njohur Calvin Klein.
Teknologji
9:45 / 18.05.2013
Lenovo K900, një super-telefon i ri Android

Lenovo K900, një super-telefon i ri Android

Modeli i shumë-përfolur i telefonit të mençur Lenovo tashmë është prezantuar me karakteristikat e tij të veçanta.
Ekonomi
12:17 / 18.05.2013

2.5 euro - një ar tokë ka shitur AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shitur hiç më pak se 20 hektarë tokë për vetëm 5 mijë euro, në valën e 13 t...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.