Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Hamitit
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë po i përcjell me vëmendje dhe me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe vlerëson se arrestimi i Kryesuesit të Kuvendit, Sami Hamiti, shqetëson çdo qytetar të Prishtinës.Në një kumtesë për media, Lëvizja “vetëvendosje” thotë se kanë pritur që Hamiti të jap dorëheqje nga funksionet publike, si një akt moral, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të z. Hamiti nga funksioni i Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe nga funksioni i Kryesuesit të Komitetit për Politikë dhe Financa”, thuhet në kumtesë.
Kjo lëvizje thotë se kanë pritur që Kryetari i Komunës z. Isa Mustafa që është edhe njëherësh kryetar i partisë në pushtet, që në bazë të nenit 38 të Statutit të Komunës të Prishtinës të thërras seancë të jashtëzakonshme për të sqaruar Këshilltarët Komunalë dhe qytetarët e Prishtinës rreth këtyre zhvillimeve.
“Kuvendi Komunal nuk mund dhe nuk duhet të hesht përballë situatës së krijuar. Nëse z. Isa Mustafa pretendon se kjo çështje duhet zgjidhur në mënyrë institucionale, atëherë le të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për ta kthyer debatin dhe vendimmarrjen aty ku e ka vendin. Prandaj kërkojmë që në mënyrë urgjente të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal”, thuhet në kumtesën e VV-së. /Telegrafi/