Vizitohet tentim-atentatori i vetëshpallur i Ibrahim Rugovës

21:04 / 18.01.2013

Agim Hoti, i vetëquajtur tentim-atentator i të ndjerit President Ibrahim Rugova, është marrë të enjten dhe dy javë më parë në pyetje nga hetuesit e prokurorisë së EULEX-it, në qelinë e tij të burgut në “Dubravë”, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Hoti vuan dënimin e tij në qendrën më të njohur korrektuese të vendit për një atentat tjetër. Ai së bashku me Mentor Qelën, më 28 shkurt 2007 kishin provuar ta vrisnin Anton Berishën, ish-shefin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART) dhe ish-ambasadorin kosovar në Slloveni.

Po ashtu, ai më 12 prill 2007, së bashku me Driton Spahiun kishte sulmuar sërish veturën e ish-kreut të ART-së me një granatë dore dhe me dy minahedhës. Për këto veprime, më 20 nëntor 2009, Hoti ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 16 vjet, Qela me 20 vjet, ndërsa Spahiu me 15 vjet e gjashtë muaj. Vendimi, me disa zbritje të vogla, ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 24 gusht 2011.

Mirëpo, Agim Hoti kishte deklaruar në media se ai është edhe autor i dy tentim-atentateve ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2004-2005 në konvojin e veturave që e shoqëronte drejt Zyrës së Presidentit dhe tjetra në rezidencën e tij.

Që të dy sulmet ndaj ish-presidentit Hoti thoshte se i kishte kryer me urdhër të Xhavit Halitit, aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Artan Nimanit, profesor në UP, si dhe Agron Haradinajt i cili punon në PTK.

Të apostrofuarit nga Hoti patën mohuar akuzat e drejtuara nga ta duke cilësuar ato deklarime shpifje dhe budallallëk.

Përmes telefonit, të enjten Hoti i tha Gazetës Jeta në Kosovës që brenda vitit 2013 ai është marrë dy herë në pyetje nga hetuesit e EULEX-it.

“Dje (e enjte) dhe dy javë më parë, EULEX-i ka qenë në burg dhe më kanë intervistuar. Ata janë interesuar për atentatin ndaj ish-presidentit Rugova, por edhe për atentatin ndaj ish-kreut të ART-së, Anton Berisha”, thotë Hoti.

Mirëpo, zyrtarja për informim publik nga EULEX-i, Bardha Azari, nuk ka mohuar e as pohuar nëse ka filluar hetimi për rastin e tentim-atentatit ndaj ish presidentit Rugova.

“Ne nuk mund të konfirmojë apo mohojë nëse hetimi është në vazhdim e sipër ose nëse një person specifik është intervistuar”, thotë Azari.

Ndryshe nga EULEX-i, ushtruesja e detyrës në Qendrën Korrektuese të Dubravës, Zyrafete Imeraj, thotë se hetuesit e prokurorisë së EULEX-it me leje janë takuar me të burgosurin Agim Hoti.

“Dje (enjte ) në Burgun e Dubravës kanë qenë hetuesit e prokurorisë së EULEX-it, të cilët kanë ardhur me leje të prokurorisë. Ata janë takuar me të burgosurin Agim Hoti, ndërsa më parë jam takuar edhe unë personalisht me këta hetues”, thotë Imeraj.

Gazeta nuk ka të dhëna se në lidhje me cilin rast është intervistuar Hoti, i dënuar si atentator i Anton Berishës dhe i vetëshpallur tentim-atentator i Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.