VMRO-DPMNE e dëshpëruar me homazhet në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së
Partia VMRO-DPMNE, e kryeministrit Nikola Gruevski, është shprehur kundër veprimit të oficerëve të lartë të Armatës së Maqedonisë, të cilët dje vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Sllupçan të Kumanovës. “VMRO-DPMNE nuk pajtohet me aktin e djeshëm të vendosjes së kurorave të lules në përmendoren e UÇK-së, me praninë e personave të uniformuar të mbrojtjes së Maqedonisë. Akti i tillë aspak nuk reflekton politikat dhe qëndrimet politike të VMRO-DPMNE. Ngjarjet e tilla aspak nuk çojnë në rritjen e mirëbesimit midis qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE, transmeton INA.
Oficerë të lartë të ARM-së dje në shoqërimin e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi dhe zyrtarëve të lartë të Qeverisë bën homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Sllupçan me rastin e 11 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. /Telegrafi/