Vrasësi i djalit dhe nuses: Jam penduar, dua ta vras veten!

13:32 / 2.02.2013

Gjykata e Elbasanit vendos masën arrest me burg për Engjo Uçajn. 65-vjecari ekzekutoi më 30 janarit djalin dhe nusen e tij, pas debateve në familje. Në seancën e parë gjyqësore, autori ka pranuar krimin para policisë. Ai ka deklaruar se e ka kryer krimin në rrethana të rënduara psikologjike.

“E kam kryer krimin në rrethana të rënda psikike. Nuk mbaj mend si kam vepruar. Kemi denoncuar në polici dhunën që djali ushtronte ndaj nesh. Jam penduar që vrava djalin tim bashkë me bashkëshorten e tij”, ka deklaruar para gjykatës Uçaj.

Ai ka deklaruar se sulmohej nga djali i tij dhe se kishin probleme ekonomike.

“Djali na dhunonte sistematikisht mua dhe nënën e tij. Kishim konflikte të vazhdueshme, djali na kërkonte paratë e pensionit. Kishim kërkuar mbrojtjen e policisë, pasi dhunoheshim nga djali ynë. Policia mund të kishte shmangur ngjarjen nëse nuk do të kishte liruar djalin tonë. Kam reaguar, pasi Sokoli ishe duke më dhunuar edhe në momentin e ngjarjes”, ka deklaruar Uçaj, transmeton NOA.

Prokuroria kërkoi arrest me burg për 65-vjeçarin deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga gjykata. Ndërkohë që prokurori i çështjes ka deklaruar se ka mos përputhje të dëshmive që kanë dhënë burri dhe gruaja për ngjarjen.

Më 30 janar, 65-vjeçari ekzekutoi djalin e tij 27-vjeçarin Sokol Uçaj dhe gruan e tij 24-vjeçare, shtetase italiane, Julia Poltofieri.

“Dua të vras veten”, ka deklaruar thellësisht i penduar në sallën e gjyqit, 65-vjecari Uçaj. Në dëshminë e tij para togave të zeza, “babai vrasës” ka rrëfyer se dyshonte që djali merrej me aktivitete kriminale.

“Djali ishte kthyer pas burgut në Itali. Dyshoja se merrej me elementë kriminalë. Të dashurën italiane dyshoj se e përdorte për grabitje”, ka thënë ai, transmeton BalkanWeb.

65-vjecari ka shtuar më tej se armën me të cilën ka vrarë çiftin e kishte sjellë vetë Sokoli pak ditë para ngjarjes.

“Po të mos i kisha vrarë, djali do të kishte bërë kasaphanë. Atë natë djali do kishte vrarë të paktën pesë vetë”, shton ai.

Autori ka pranuar krimin para policisë, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se "e vrava djalin, pasi nuk doja nuse të huaj në shtëpi”.

“Nuk e di se si e bëra këtë vrasje. Ju thashë që djali më dhunonte sistematikisht, që nga dita që më solli në shtëpi nusen e tij, dhe më thoshte që kjo do të jetojë me ne. Jam penduar, se kisha vetëm një dritë sysh, ashtu sikundër jam penduar edhe për vajzën e huaj që e vrava. Nuk di çfarë të them më shumë. Kjo ndodhi për një moment, dhe as vetë nuk e di se si e bëra me dorën time një gjë të tillë. Por, ju them se djali më dhunonte sistematikisht".

Fqinjë të familjes Uçaj u shprehën se Engjo e shante vajzën italiane.

"Ai i thoshte të birit se i kishte sjellë një prostitutë nga Italia, ndërkohë që djali e rrihte. Engjo ishte burrë i urtë dhe e kishte denoncuar më parë të birin në polici", thanë fqinjët. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.