Vrasja në Krrabë, merren në pyetje babai dhe gruaja e Fiqiriut
Hetuesit zbarkojnë në familjen e Fiqiri Muçës në Manzë të Durrësit për të marrë dëshmitë e babait dhe gruas së të ndjerit. Për më shumë se dy orë, Zyber Muça, babai i viktimës dhe e shoqja, Mynyrja, u kanë rrëfyer oficerëve të policisë gjyqësore, gjithçka dinin rreth historisë mes Fiqiriut dhe Nazime Vishës, vajza e cila ka marrë përsipër autorësinë e ekzekutimit të babait të pesë fëmijëve. Zyber Muça, ka hedhur dyshime të forta për autorësinë e vrasjes së të birit. I moshuari u tha hetuesve se në vrasjen e Fiqiriut kanë gisht pjesëtarët e tjerë të familjes Visha, duke "shfajësuar" në këtë mënyrë Nazimen.
Pas Zyberit, ishte Mynyrja, gruaja e Fiqiri Muçës që rrëfeu marrëdhëniet me bashkëshortin e ndjerë, njohjen me pjesëtarët e familjes Visha, dyshimet që i kishin lindur për lidhjen e krijuar mes të shoqit dhe Nazime Vishës. Pas marrjes së dëshmive, hetuesit kanë sekuestruar dhe telefonin e Fiqiri Muçës, ku ndodhen të gjitha mesazhet intime që dyshohet se Nazime Visha i kishte dërguar atij muaj më parë.
Në shtëpinë e Behar Vishës ndihet klima e tensionit dhe ankthit. Vrasja e Fiqiri Muçës, mikut të familjes nga e bija, Nazime Visha, e cila gjendet prapa hekurave nën akuzën e vrasjes, i ka shtuar dhe më shumë hallet e kësaj familjeje. Babai i Nazimes, Beqiri, shprehet se ka një javë që nuk komunikon me të bijën, Lutfijen, të cilën prej disa vitesh e ka martuar me Vladimir Muçën, vëllain e viktimës Fiqiri Muça. "Kam një javë që nuk flas me Lutfien. Nuk di asgjë për fatin e saj. Është dhe shtatzënë dhe nuk di si është gjendja e vajzës", tha Beqir Visha, teksa shpreson që në familjen Muça, të mos i ndodhë asgjë e keqe, pas gjithë historisë së rëndë që u trokiti në derë.
Por, bashkëshorti i Lutfies, Vladimir Muça, tha se jeta mes tyre shkon si mos më mirë dhe vrasja e Fiqiriut nuk ka ndikuar aspak në marrëdhënien e tij me të shoqen. "Shkojmë shumë mirë bashkë. Jemi në fshat me djalin. Asgjë nuk ka ndikuar në marrëdhënien tonë", tha Vladimiri, duke hedhur poshtë çdo mundësi se të shoqes mund t'i ndodhë ndonjë gjë e keqe, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së vëllait, transmeton BalkanWeb.
Fiqiri Muça u ekzekutua një javë më parë në fshatin Krrabë, ku kishte mbërritur për të marrë prej andej Nazime Vishën. Vajza pretendon se e vrau për shkak se Fiqiriu e kishte përdhunuar dhe abuzuar seksualisht për vite me radhë, më pas e kishte rrëmbyer e ndarë nga i fejuari pas shumë shantazhesh e kërcënimesh. /Telegrafi/