Vrasja që lë dilema, SMS-të intime dhe fotoja e Nazimes me Fiqiriun

14:52 / 15.08.2012

Adoleshentja Nazime Visha nga fshati Kërrabë pranë Tiranës, tha dje në gjykatë se e ka vrarë ajo Fiqiri Muçën, baba i pesë fëmijëve. Por sa e vërtetë është kjo? Pikëpyetje ngrihen sot, pasi zbulohen rreth 250 SMS të cilat janë shkëmbyer mes tyre, mesazhe që tregojnë qartazi se ata ishin dy dashnorë që linin kokën për njëri-tjetrin. Për më tepër, sot ka folur edhe gruaja e Fiqiri Muçës, Mynyrja, e cila është shprehur se “Nazimja futi në kurth tim shoq, e gënjeu mendja se do martohej”. Kurse thotë se dikush tjetër ia vrau të shoqin dhe 18-vjeçarja e mori përsipër krimin.

E përditshmja Panorama ka publikuar sot disa nga këto mesazhe që i gjeni më poshtë. Sakaq kanë dalë dhe fotot ku çifti duket bollshëm i dashuruar. E po ashtu, gjeni këtu në këtë raport edhe foto nga celulari për një nga mesazhet.


Nazime Visha dhe Fiqiri Muça në një foto në celularin e viktimës 

Zbulohen mesazhet intime të 18-vjeçares Nazime Visha, me statusin e fejuar, dërguar 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, gjatë kohës që këta kanë qenë të lidhur. Që nga janari dhe deri në maj 2012, çifti duket se ka shkëmbyer qindra SMS, por në memorien e celularit janë të ruajtura më së shumti ato të Nazimes, plot 250 të tillë. Ndërsa SMS-të e Fiqiriut drejtuar asaj janë vetëm dy. Celulari që shikoni në foto, i përkiste viktimës Fiqiri Muça, i cili për shkak se kishte lidhje jashtëmartesore mbante dy telefona. Përkatësisht, edhe dy numra.

Celulari tip “Nokia 6300”, gri me të zezë, është përdorur nga viktima deri të dielën, e cila ishte dhe dita e fundit e jetës së tij. Kur ai është nisur për udhëtim atë pasdite, ka harruar që të marrë telefonin e dytë me vete, por gjithsesi ka qenë i fikur. Celulari ka kaluar dorë më dorë, pa ia ditur “pronari”, derisa u zbulua pas mortit. Me t’u ndezur, telefoni u hap, pa pasur nevojë për kodin pin apo ndonjë kod tjetër sigurie.

Numri 355685265668 që kishte dërguar 250 mesazhet në telefonin e Fiqiriut i përkiste Nazime Vishës. Duket se shkëmbimi i SMS-ve me këtë numër ka përfunduar në ditën kur ajo dhe Fiqiriu janë bashkuar për të jetuar “nën një çati”, aventurë e cila zgjati 10 ditë. Bëhet fjalë për periudhën në fund të majit 2012, për të cilën Nazimja pretendon se është rrëmbyer dhe është kërcënuar me dhunë nga Fiqiriu për t’u trafikuar në Kosovë, ndërsa familjarët e viktimës kundërpërgjigjen se “ajo ka ikur me dëshirë”. Pas kësaj, Fiqiriu është kthyer pranë familjes së tij në Manëz të Durrësit, ndërsa Nazimja te gjyshi dhe xhaxhai i saj, në Kërrabë. Pas ndarjes, ata kanë ndryshuar edhe numrat përkatës, por siç duket, jo edhe celularët. Mesazhet e tyre ishin ruajtur në një folder (dosje) të veçantë, bashkë me shumë materiale të tjera intime.

SMS-të intime në celularin e Nazimes

Sot publikohen mesazhe që Nazimja i ka dërguar Fiqiriut, me kohën e saktë dhe fjalët origjinale në dialekt. Pa komente të tepërta, pa paragjykime, thjesht ju paraqesim tekstet ashtu siç janë, plot gabime gjuhësore dhe fjalë dialektore…

Mesazhet në celularin e Fiqiri Muçes, dërguar nga 18-vjeçarja Nazime Visha

NGA: 355685265668 / 2012.05.18 23:11
“Pse ma byll moj jeta ime”

NGA: 355685265668/ 2012.05.18 16:36
“Te me tregosh ku ke qen tu q… sot shpejt kush te tha
ty me dal per kafe a”
NGA: 355685265668 / 2012.05.16 23:49
“Zemer a te bi me ty sende se i shtrova rrobe hedh jergen
te trash qe mos te merdhifsh neser hikim jeta ime”…
Sakaq ka folur edhe gruaja e Fiqiri Muçës: Nazimja futi në kurth tim shoq, e gënjeu mendja se do martohej

Lamtumirën ia dha sikur të ishte një bashkëshort model dhe baba shembullor, por Fiqiri Muça e kishte tradhtuar prej vitesh gruan e tij, Mynyre, ndërsa 5 fëmijët i kishte lënë shpesh pa bukë. Tashmë, me vdekjen e tij prej plumbave të 18-vjeçares Nazime Visha, bashkautore të tradhtisë, ai i la pas familjes edhe një kredi shumëmilionëshe për të paguar… Megjithatë, Fiqiri Muça u varros me të gjitha nderet e fundit nga bashkëshortja e tij.

E prekur dyfish nga dhimbja; prej humbjes së babait të fëmijëve, por mbi të gjitha prej shkakut pse u vra, Mynyre Muça hodhi dje grushtin e fundit të dheut mbi arkivolin e bashkëshortit, me fjalët: Ajo (Nazimja) e futi në kurth! Pas ceremonisë së varrimit që u zhvillua në orën 11:00, nëna e papunë e 3 vajzave dhe 2 djemve, më e madhja 20 vjeçe dhe më i vogli 6 vjeç, çeli portën e shtëpisë për ngushëllimet. Në fakt, hapi derën e një dhome të vetme të banesës njëkatëshe, gjysmë e rregulluar. Të transferuar prej 5 vitesh nga fshati i thellë Ketë i komunës Xibër të Burrelit mbi një kodër të Manzës së Sukthit, shtëpia e familjes Muça duket edhe më e trishtë nga brenda. Sytë shkojnë mbi dy divanë të vetëm, të cilët janë dhe shtretërit e 5 fëmijëve.

Më i vogli Danieli 6-vjeçar, tregon se si fle aty me motrën. Ndonjëherë me dy motra, atëherë kur më e madhja që është e martuar, vjen të bujtë te shtëpia e prindërve. Vogëlushi, duket se e di fatin tragjik të të atit, madje edhe lidhjen e tij të dashurisë me një tjetër femër, që nuk është nëna e tij. Mbase do të harrojë me moshën emrat dhe historinë, por dje fliste si një shirit magnetofoni, kthyer rishtas: Babain e vrau Nazimja. Në mendjen e tij prej fëmije, ai kishte edhe një tjetër merak: “Pse Nazimes i ka blerë ‘Bravo’, ndërsa mua jo?”. Një pyetje që duket se është krijuar, pasi ka dëgjuar lloj-lloj tregimesh në shtëpinë e tij. Një prej të cilave, ajo më e rëndësishmja, vjen sot në gazetën “Panorama”. Mynyre Muça, bashkëshortja 40-vjeçare e viktimës 45 vjeç, Fiqiri Muça, rrëfehet vetëm pak orë pas mortit…

Si e morët vesh lajmin për vrasjen e bashkëshortit tuaj, Fiqiriut?

E kam parandjerë vrasjen, edhe pse lajmin e mora nga televizori. Që në 6:30 të mëngjesit provova t’i bie telefonit të tij. Herën e parë shkoi një zile, pastaj u mbyll. I rashë prapë dhe më doli i fikur. Atëherë nisa të kem ankth të madh.

Pse ndjenit ankth?

Që kur erdhi ditën e fundit në shtëpi (të dielën) e pashë që nuk ishte aspak mirë. Ishte ora 12:00 e drekës kur erdhi…

Policia paralajmëroi se viktima dhe e dyshuara kishin raport intim

Më 12 Gusht 2012 rreth orës 00.50’’, në afërsi të Xhamisë në Qendër Kërrabë, në banesën e saj, shtetasia Nazmije Beqir Visha, 18 vjeç, ka vrarë me armë zjarri (ish bashkëjetuesin) shtetasin Fiqiri Zyber Muça, 45 vjeç banues në Shijak Durrës.

Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbime të Komisariatit të Policisë Nr.1, Oficerë të Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Ekspertë Kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin e dëshmive, mbledhjen dhe administrimin e provave.

Për hetimin e kësaj ngjarje, u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, të cilët po kryejnë procedurat e marrjes në pyetje dhe veprimeve të tjera hetimore e procedurale.

Grupi hetimor, pas verifikimeve të kryera doli në konkluzionin se, autorja e dyshuar e këtij krimi është 18 vjecarja Nazmije Visha e cila pas një konflikti të çastit ka qëlluar me armë zjarri automatike 45 vjetarin Fiqiri Visha, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ndaj saj, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të Vrasjes, ndërkohë që materialet procedurale, i kaluan për referim dhe ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tirane për veprën penale të Vrasjes. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.