Vrasja te Fusha e Aviacionit, policia prangos dy hajdutë
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur buzë mbrëmjen e djeshme në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë, ku një 37 vjeçare u vra në sy të fëmijëve të saj dhe motra e saj mbeti e plagosur, policia është hedhur në veprim.Burime zyrtare nga policia thanë për agjencinë e lajmeve noa.al, se dy të rinj janë vënë në prangat e policisë teksa po tentonin të vidhnin çantën e një gruaje.
Mësohet se të ndaluarit janë Lirim Çekici 18 vjeç dhe Flamur Puci 23 vjeç nga Dibra, të cilët u identifikuan dhe prangosën në zonën e “Misto Mames”, teksa po i vidhnin çantën gruas.
Kapja e tyre vjen në kuadër të masave të arra nga policia pasi ditën e djeshme në rrugën dytësore të zonës së ish- Fushës së Aviacionit Tiranë, ndodhi një vjedhje e rëndë me dhunë.
Nga grupi hetimor në vendngjarje, u konfirmua se gjeti vdekjen 37 vjeçarja Fatbardha Tafa si dhe u plagos motra e saj Lumturie Gjana, 38 vjeç.
Viktima së bashku me motrën dhe dy fëmijët, kanë qenë duke ecur në rrugën dytësorë të ish Fushës së Aviacionit, ku dy persona të cilët po qarkullonin me motcikletë, kanë tentuar për t’i vjedhur bizhuteritë.
Dyshohet se viktima dhe motra e saj, kanë bërë rezistencë me autorët, të cilët më pas e kanë goditur me armë të ftohtë, thikë 37 vjeçaren duke gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa kanë plagosur motrën e saj.
Menjëherë pas kësaj ngjarje të gjitha strukturat e policisë janë të angazhuara maksimalisht për hetimin e kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pjesët hyrëse dhe dalëse të Tiranës.
Për rrjedhojë në kuadër të parandalimit të ngjarjeve të tilla, policia ndaloi edhe dy të rinjtë në orët e para të ditës së sotme duke vjedhur çantën e gruas. /Telegrafi/