Vushtrri: Aksident me pasoja fatale
Policia e Kosovës njoftoi se të enjten mbrëma, rreth orës 21:40, si pasojë e një aksidenti të rëndë në trafik ka humbur jetën një këmbësor. Aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, ndërsa ishin të përfshirë një automjet civil dhe një këmbësor, mashkull i përkatësisë etnike shqiptar, rreth 66 vjeçar.
“Fillimisht, policia kishte pranuar informatën për aksidentin ndërsa vetura e cila kishte shkaktuar aksidentin, ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima e këtij aksidenti, N.Menxhiqi (1946), nga fshati Svaraqak, është dërguar menjëherë në qendrën emergjente spitalore në Vushtrri, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në bazë të hetimeve preliminare të rastit, aksidenti besohet të ketë qenë shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë nga ana e drejtuesit të automjetit, i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes.
Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë i cili ishte prezent në vend të ngjarjes, ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të i dorëzohet familjarëve të tij.
Një 43 vjeçar, si i dyshuar për ngasjen e veturës dhe shkaktimit të aksidentit, së bashku me veturën e dyshuar, tip “BMW”, ngjyrë e zezë, me targa vendore, është dorëzuar në mëngjes, rreth orës 05:00min, në stacionin policor, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor deri në përfundimin e procedurave hetimore. /Telegrafi/