Vushtrri, mbytet në kanal të ujit një vajzë 13 vjeçare
Një fëmijë, vajzë e moshës 13 vjeçare, banore e fshatit Shallc të Vushtrrisë, është raportuar të ketë humbur jetën aksidentalisht në një kanal të hapur të ujësjellësit në fshatin Druar të Vushtrrisë, të mërkurën rreth orës 13:50min.Njësitë policore ishin informuar në lidhshmëri me rastin kanë intervenuar menjëherë në vend të ngjarjes së bashku me njësitë tjera reaguese emergjente.
Mësohet se viktima ishte duke tentuar t’i ofronte ndihmën për shpëtim një fëmije tjetër 12 vjeçar, i cili paraprakisht kishte rrëshqitur dhe rënë në kanalin e ujit.
Besohet se viktima, ka ofruar dorën e saj në përpjekje për të shpëtuar fëmijën tjetër, ndërsa nën rrethana të pasqaruara ka rrëshqitur dhe rënë edhe vet në kanalin e ujit.
Fëmija 12 vjeçar, i gjinisë mashkullore, ka arritur që me ndihmën e viktimës të shpëtoj duke dalë jashtë kanalit ndërsa e pamundur ka mbetur viktima J.D. 13 vjeçare.
Ekipi i ndihmës së shpejtë së bashku me mjekun kujdestar, në vend ngjarje kanë konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.
Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rastin, ka autorizuar inicimin e hetimeve dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes në fshatin Druar nga hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës.
Sipas informatave të siguruara, Policia beson se ngjarja aksidentale ka ndodhur në kohën kur fëmijët po ktheheshin në shtëpi, pas përfundimit të orarit të shkollës.
Hetuesit policor konsiderojnë se nuk ka elemente të ndonjë vepre penale ndërsa rasti është regjistruar si vdekje aksidentale. Me autorizim të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjarëve të saj. /Telegrafi/