VV: Ban e viziton Kosovën si protektorat
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje pohojnë se Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, të martën do ta vizitojë Kosovën, në cilësinë e një protektorati të Kombeve të Bashkuara e jo si një shtet të pavarur.Për Lëvizjen Vetëvendosje (VV) është e rëndësishme të dihet se çfarë porosi do të sjellë Ban Ki-moon gjatë vizitës së tij në Kosovë. Shpend Ahmeti, nga VV, tha se nëse Ban Ki-moon po vjen të diskutojë gjashtë pikëshin për të cilin ka thënë se është në përputhje të plotë me katërpikëshin e Tadicit, atëherë më mirë të mos vijë fare.
“Në qoftë se po vjen për të diskutuar gjashtë pikëshin, të cilin ai ka thënë se është në përputhje të plotë me katërpikëshin e Tadicit, e ka deklaruar edhe më herët se ka një marrëveshje me Qeverinë serbe, për atë se si duhet të duket zgjidhja për veriun, atëherë në themi më mirë të mos vjen fare. Sepse, ne qëndrimin tonë për gjashtëpikëshin e kemi bërë të ditur moti. Në atë gjashtë pikësh, parashihet që policia të ndahet në veri nën komandë tjetër, që doganat në veri, një pjesë e fondeve të shkon drejt në strukturat qeverisëse në veri, pa kaluar fare nëpër qendër në Prishtinë”, tha Ahmeti.
Të gjitha këto Ahmeti i sheh si “gatim i një recete”, e cila është e dëmshme për Kosovën dhe e cila do ta ndajë Kosovën në baza etnike dhe do ta bosnjëzojë atë.
Më tej ai pohoi se Ban do të pritet në Kosovë pa ceremoni shtetërore, gjë që lë të kuptohet që Kombet e Bashkuara nuk e njohin Kosovën si shtet. Ai tha se Moon po e viziton Kosovën, si protektorat të Kombeve të Bashkuara dhe jo si shtet të pavarur, pasi që Kombet e Bashkuara nuk e konsiderojnë si të tillë.
Ndërsa, i pyetur për një krizë të mundshme politike pas zgjatjes së mandatit të presidentes Jahjaga, Ahmeti pohoi se Kosova tani më është në krizë politike edhe pa zgjatje të mandatit të presidentes. Ai tha se, nëse dikush ka menduar se kemi qenë në një situatë të mirë politike dhe ekonomike, ka gabuar, transmeton Kosovapress. /Telegrafi/