VV: Qeveria hap vende pune në Serbi!
Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur alternativën e saj qeverisëse për politikat Sociale. Sipas saj, për të dal nga gjendja e rënë ekonomiko-sociale në Kosovë, fokus të veçantë duhet dhënë prodhimit vendor. Ndërsa, ka fajësuar Qeverinë aktuale, për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar në vend. Sipas Vetëvendosjes, kjo Qeveri më shumë po hapë vende pune në Serbi, sesa në Kosovë. Drejtues i Komitetit për mbrojtje sociale në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Faton Topalli, ka thënë se Qeveria në pushtet më shumë është një qeveri e konsumit se sa e krijimit të vendeve të reja të punës.
“Me këtë politikë, që po e zhvillon Qeveria, po sigurojmë vende pune në Serbi, po sigurojmë vende pune në rajon, e vende të tjera. Në këtë mënyrë nuk ka mundësi me u ngrit zhvillimi ekonomik... Vetëm 10 për qind e ndërmarrjeve prodhojnë, i gjithë prodhimi tjetër vjen nga vendet tjera”, deklaroi Topalli.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje në fokus e ka ngritjen e prodhimit vendor, ngase me ngritjen e prodhimit hapen më shumë vende pune në vend. Ndërkaq, anëtari tjetër i Komitetit për mbrojtje sociale në Vetëvendosje, Armend Shkozaj, është ndalur tek ligji i punës, që nuk është duke u zbatuar. Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të parapara me atë ligj nuk duhet gjithmonë të realizohet përmes rrugëve gjyqësore.
“Janë edhe disa rrugë apo mekanizma institucional, të cilat duhet të garantojnë zbatimin e ligjit në praktikë, para se të vije mbrojtja e tyre në sistemin gjyqësor”, ka thënë Shkozaj.
Sipas statistikave të fundit, 45 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri të skajshme, ndërsa 17 për qind në varfëri ekstreme. /Telegrafi/