VV: SHIK-u, strukturë e PDK-së, e konfirmoi Krasniqi
Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka kohë që e ka nisur procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për krijimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës në lidhje me veprimtarinë e SHIK-ut, komision ky i cili do të zbardhte të vërtetën mbi atë se kush e ka themeluar këtë shërbim, si është financuar ai, kujt i ka dhënë llogari, cila ishte struktura, rregullat e brendshme dhe plani i punës së këtij shërbimi, si dhe ku janë arkivat e shumëpërfolura të tij.Përmes një reagimi dërguar mediave, Vetëvendosje thekson se nga agjentët e vetëdeklaruar të SHIK-ut dhe nga kreu i kësaj organizate “kemi marrë përgjigje se gjoja ky shërbim ka qenë shtetëror”.
“Edhe pse ende nuk kemi parë asnjë dokument të vetëm zyrtar mbi veprimtarinë e kësaj organizate, dita ditës edhe vetë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës po dëshmojnë që SHIK-u ka qenë dhe është pjesë e strukturave të saj partiake”, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.
“Në një intervistë për të përditshmen ‘Zëri’, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe njëheri Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, në pyetjen e gazetarit për përfshirjen e kreut të SHIK-ut Kadri Veseli në politikë, përgjigjet duke thënë se Veseli ka qenë edhe më herët i përfshirë në vendimmarrje në PDK”, thuhet në një reagim të subjektit opozitar politik, Vetëvendosje.
Sipas Vetëvendosjes, fakti që njeriu kryesor i organizimit në PDK konfirmon se Veseli ka qenë njeri i vendimmarrjes në parti, “dëshmon më së miri se SHIK-u është organizatë partiake e Partisë Demokratike të Kosovës”.
“Kjo veçse i shton argumentet e fuqishme për një komision hetimor për t’i kuptuar të gjitha ato të panjohura rreth kësaj organizate që edhe sot e mban peng shtetin e Kosovës”, thuhet në fund të këtij reagimi. /Telegrafi/