VV: Universiteti i Prishtinës po e shkel ligjin
Politizimi i skajshëm, mungesa e cilësisë dhe ndarja jo adekuate e fondeve janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në degradimin e sistemit arsimor në Kosovë. Kështu kanë vlerësuar përfaqësuesit e Lëvizjes "Vetëvendosje" në një tribunë të organizuar sot në Prizren. Sipas tyre, këto elemente, që kanë ndikuar në dobësimin e sferës së edukimit, janë të pranishme nga shkollimi i ulët e deri te arsimi i lartë, veçmas në Universitetin e Prishtinës, ku shkelen ligjet dhe kriteret e përzgjedhjes së stafit akademik"Jemi dëshmitar se rekrutimi i stafit akademik më shumë se sa që bëhet mbi kriteret profesionale, mësimore apo kërkimore bëhet mbi përkatësinë politike. Si i tillë, ky proces e dëmton kualitetin e procesit mësimor dhe më tepër sesa ta inkurajoj përpjekjen për thellim në mësim, krijon përshtypjen se kushti avancimit është përkatësia në një formacion politik dhe se ajo shërben si trampolinë për avancim të mëtutjeshëm akademik", ka thënë deputeti i "Vetëvendosjes", Afrim Kasolli, raporton Koha.net.
Para punëtorëve arsimorë të Prizrenit, Kasolli ka shprehur bindjen se dispozitat ligjore janë shkelur gjatë emërimit të asistentëve në UP pikërisht nga ligjvënësit dhe se me qëllim lejohet manipulimi i Senatit të UP-së në mënyrë që "asistentë të bëhen personat që vijnë nga politika pa i marrë për bazë kriteret akademike". Ai ka përkujtuar se politikat e udhëhequra nga ekzekutivi vendor kanë sjellë deri te prishja e baraspeshës në raportin mes të diplomuarve dhe nevojave të tregut, duke krijuar situatën në të cilën rreth 4 deri 5 mijë të diplomuar aktualisht ndodhen në listën e punëkërkuesve.
Kjo qasje sipas tij ka vërtetuar se motoja elektorale "për shtet të dijes" ka qenë vetëm një mashtrim, ngase aktualisht MASHT-i është në vendin e tetë për nga buxheti i ndarë e që nuk mjafton për avancimin e sistemit arsimor.
Në anën tjetër edhe drejtuesi i Komitetit për Arsim në Lëvizjen "Vetëvendosje" dhe ish-dekani në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Isa Elezaj është shprehur kritik me zhvillimet aktuale në arsimin e Kosovës.
Sipas tij, unifikimi i abetares mes Kosovës e Shqipërisë është bërë pas 13 viteve të humbura, për shkak të mungesës së vullnetit në të dyja anët e kufirit për ti dhënë vendin e duhur sistemit arsimor.
Elezaj ka theksuar se gjendja në UP është mjaft e rëndë për shkak të infrastrukturës së vjetruar dhe mungesës së investimeve për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe kërkimeve shkencore.
Pakënaqësitë në lidhje me gjendjen në arsimin e komunës së Prizrenit janë paraqitur edhe nga punonjësit lokal arsimorë, të cilët kanë kërkuar angazhim nga vendimmarrësit për përmirësimin e gjendjes në këtë fushë. /Telegrafi/