Ymeri thërret për bllok opozitar

11:18 / 27.03.2013

Shefit i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se kjo lëvizje nuk llogarit shumë në AAK-në për krijimin e bllokut opozitar, po ashtu Ymeri ka bërë me dije se VV nuk ka pasur pajtueshmëri edhe me LDK-në për krijimin e një blloku opozitar.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, ka folur në detaje për tri takimet në mes të liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Ymeri ka deklaruar se këto takime kanë pasur për qëllim arritjen e një pajtueshmërie në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për krijimin e një blloku opozitar në mënyrë që t’i jepet fund Qeverisë aktuale.

“Konsiderojmë se dëmet që vijnë nga kjo qeverisje në rrafshin politik nëpërmjet negociatave me Serbinë, në rrafshin ekonomik nëpërmjet privatizimit të çdo gjëje publike dhe vjedhjes e keqmenaxhimit të pasurisë dhe parasë publike, në sferën e demokracisë nëpërmjet shantazhit dhe uzurpimit politik, si dhe në rrafshin e llogaridhënies nëpërmjet korrupsionit e skandaleve të shumta zhvatëse të qeveritarëve, mund të ndalen vetëm me ndaljen e kësaj qeverie”, ka deklaruar Ymeri.

Në këtë kontekst, Ymeri ka bërë me dije se në cilat pika nuk ka pasur pajtueshmëri në Lëvizjen Vetëvendosje! dhe LDK-në për krijimin e një blloku opozitar. “Në këtë drejtim nuk kemi hasur pajtueshmëri për të gjitha pikat e propozuara nga ne, prej të cilave kryesoret ishin angazhimi kundër dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes që ky dialog pritet ta prodhojë dhe drejt ndërprerjes së mandatit të Qeverisë për zgjedhje të reja”, është shprehur Ymeri.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, kjo lëvizje nuk llogarit shumë në AAK-në për krijimin e bllokut opozitar.

“Ne e kemi pasur një takim të mëhershëm me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në të cilin e kemi kuptuar se qëndrimi i tij politik është shumë më afër atij të Qeverisë e Thaçit sesa të një force opozitare”, ka thënë Ymeri. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.