Zeneli: Koalicion për interesa të LDD-së, jo të individëve

13:21 / 2.05.2013

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Lulzim Zeneli, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të nënkryetares Besa Gaxherri, ka thënë të mërkurën se koalicioni me AAK-në është bërë për interesa të partisë, e jo për interesa të individëve.

“Koalicionin me AAK-në e ka ndërtuar Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD). Sikur të kishim bërë koalicion për individë dhe për interesa personale, përcaktimet tona do të ishin krejt ndryshe. Por, koalicioni është bërë për interesin e subjektit politik, për interesin e emrit të LDD-së si dhe për interesin e të gjithë atyre njerëzve që kanë besuar dhe besojnë në LDD”, ka thënë Zeneli për “Epokën e re”.

Ai ka deklaruar se ende vlen qëndrimi i Kryesisë së LDD-së, që kush është kundër koalicionit me AAK-në nuk është pjesë e LDD-së. Por, ai ka hedhur poshtë se me këtë qëndrim po u tregohet dera për t’i larguar nga partia kundërshtarët e koalicionit.

“Po ende vlen qëndrimi. Ai është qëndrim shumë i qartë. Ai është qëndrim i Kryesisë së LDD-së. Por, ne nuk po ia tregojmë askujt derën, por secili ia tregon derën vetes”, ka deklaruar Zeneli.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se është e drejtë e secilit t’i shprehë qëndrimet e tij për apo kundër koalicionit. Ai ka thënë se këto ditë opinioni është bombarduar me opinione negative për LDD-në.

“Nuk kam komente për opinionet e të tjerëve dhe nuk dëshiroj të merrem me to. Jemi duke punuar për ta fuqizuar opinionin e LDD-së nëpër terren. Është e drejtë personale e secilit individ t’i shprehë qëndrimet e veta. Që dy-tri javë jemi duke u bombarduar me opinione negative kur bëhet fjalë për LDD-në, mirëpo LDD-ja dhe anëtarësia e saj është besnike dhe është duke punuar fuqishëm që konceptin e vet politik ta adresojë me kohë. Nuk dëshirojmë të merremi më me opinione, pra me atë çka flitet anash për LDD-në”, është shprehur Zeneli, duke shtuar se LDD-ja ka vendosur të ecë përpara dhe të mos shikojë prapa.

“Jemi të përcaktuar të ecim përpara. Kemi kaluar në një fazë krejt tjetër të punës dhe tash nuk kemi kohë, as nuk dëshirojmë të kthehemi mbrapa. Për momentin jam në Pejë duke punuar, sapo mbajta takimin me strukturat tona të degës, pastaj do të kemi takime edhe me degët e tjera. Thjesht, jemi të vendosur të ecim në rrugën tonë për një koncept, i cili i nevojitet qytetarit. Jemi duke punuar të adresohet një politikë e qartë për këtë vend. Absolutisht nuk dëshirojmë të zhvillojmë debate të cilat do ta dëmtojnë aspektin kohor dhe synimet që i kemi parashtruar vetvetes”, ka deklaruar Zeneli.

Nënkryetari i LDD-së ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për një angazhim, për një koncept të ri si dhe një reformë substanciale. “Ka nevojë për një qasje të re, e qasja e re do të jetë qasje pragmatike e cila këtë vend do ta orientojë drejt proceseve që e presin”, ka deklaruar Zeneli, duke përjashtuar mundësinë që koalicioni me AAK-në ka qenë shpëtimtar për LDD-në.

Madje ai ka thënë se LDD-ja nuk është në krizë, siç po pretendohet nga disa në opinion. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.