Zgjedhje verore

7:42 / 22.12.2012

Nëse realizohet propozimi i Liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, atëherë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare do të duhej të mbaheshin në verën e vitit 2013. Këtë ide Thaçi e ka përmendur gjatë një interviste në “Klan Kosova”, ku ka thënë se për këtë duhet të merren vesh të gjitha partitë politike.

“Por, mendoj se kemi diskutuar privatisht dhe në parim të gjithë pajtohen që zgjedhjet të mbahen kur është koha e mirë (verë), kur ka ditë më të gjatë”, ka thënë Thaçi.

Lideri i PDK-së ka thënë se janë partitë politike ato që do të vendosin përfundimisht për datën e zgjedhjeve të ardhshme për kryetarë të komunave, si dhe për zgjedhje parlamentare.

Zgjedhjet lokale, sipas ligjit, duhet të mbahen më së largu në nëntor të vitit 2013, ndërsa ato parlamentare në fund të vitit 2014. Por, një marrëveshje e arritur mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në prillin e vitit 2011 ka paraparë që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vitin 2013, me kusht që të përfundohet reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese.

Lideri i PDK-së thotë se marrëveshjet duhet të respektohen, por ka lënë të hapur mundësinë e ndonjë marrëveshjeje të re për ndryshimin e afateve të zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka komentuar idenë e tij, ndërsa zyrtarët e AAK-së kanë thënë se ideja për mbajtjen e zgjedhjeve në verë është e tyre. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se gjithçka do të vendoset në takimet që po mbahen mes liderëve të partive politike. Por, ka insistuar që marrëveshjet e arritura më herët të respektohen.

“Ne jemi për reformë zgjedhore dhe që të kryhet ky proces. Kemi dhënë propozimet tona dhe sigurisht Kryetari i LDK-së do të dalë me qëndrime të partisë. Marrëveshjet që janë arritur, duhet të respektohen. Problemi se a është verë apo pranverë apo vjeshtë, kjo nuk shkojnë në dëm të asnjë partie. Qytetarët janë njësoj për të gjithë”, ka thënë ai për “Express”.

Në anën tjetër, Këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, ka thënë se në vitin 2009 kanë propozuar ndryshimin e orarit të zgjedhjeve që janë mbajtur prej vitit 2001. Edhe Arifi ka thënë se për afatin e ri të zgjedhjeve duhet të merren vesh të gjitha partitë politike, por se AAK është për mbajtjen e zgjedhjeve në verë.

“Se a do të mbahen zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2013 apo në verën e 2014 është çështje e një marrëveshjeje politike. Por, ne si Aleancë do t’i mbështesim dy variantet, me kusht që reforma zgjedhore të përfundojë. Sa i përket idesë që zgjedhjet të mbahen në maj ose qershor, është një ide e kahershme e AAK-së, e cila sjell shumë të mira”, ka thënë Tahiri.

Ky zyrtar i AAK-së ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve gjatë verës e pamundëson keqpërdorimin e votave, pasi i gjithë procesit kryhet në dritë.

“E mira e parë është koha e mirë dhe njerëzit nuk hezitojnë të zgjedhin. Jemi të sigurt se e rrit numrin e zgjedhëseve dhe e dyta - që është shumë me rëndësi - edhe mbyllja e kutive, bile-bile edhe numërimi kryhet në dritë”.

Ndryshe, Kryeministri Thaçi e ka lënë mundësinë që zgjedhjet lokale të mbahen edhe para përfundimit të afatit ligjor.

Por, kjo ka pak gjasa të ndodhë pasi reforma zgjedhore ende nuk ka përfunduar. Tek pasi të përfundojnë të gjitha proceduarat e ndryshimit të Ligjit për zgjedhje dhe votimit të tyre në Kuvend, atëherë Presidentja duhet të dekretojë gjashtë muaj më vonë mbajtjen e zgjedhjeve.

Reforma zgjedhore ka rinisur para një muaji, pasi ishte bojkotuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pati kushtëzuar reformat me largimin e Jahjagës. Burime të “Expressit” kanë treguar se reforma zgjedhore nuk pritet të përfundojë para vjeshtës së vitit të ardhshëm, pasi përveç ndryshimeve të ligjit, duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta (nëse ndryshohen zonat, listat zgjedhore dhe përbërja e KQZ-së).

Procedura për të ndryshuar Kushtetutën merr të paktën tre muaj, me kusht që propozimet të jenë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.