Zgjedhjet në pako në vitin 2013
Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në marsin e 2013 është një nga opsionet që po shqyrtohet nga partitë në pushtet në Maqedoni.Opsioni i tillë vjen sidomos nga partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikoll Gruevski, e cila ka për qëllim që në marsin e vitit të ardhshëm kur është afati zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të mbahen në pako edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Ky mund të jetë një opsion i mirë dhe ne nuk i shmangemi ballafaqimit në zgjedhje. Besoj sërish mund të sfidojmë opozitën, sikur që e sfiduam në zgjedhjet e qershorit 2011”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, një zyrtar i lartë i Qeverisë.
Për partitë politike zgjedhjet e ardhshme vlerësohen edhe si referendum, pasi që vendi do të jetë përballë politikave aktuale të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe nga ana tjetër, opsioni i opozitës për zhbllokimin e vendit dhe heqjen e barrierave të procesit të integrimit euroatlantik.
Opozita kërkon fillimisht ballafaqimin në zgjedhjet lokale 2013 dhe më pas opsionet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndërkohë, lideri i LSDM, Branko Cërvenkovski ka paralajmëruar se në rast se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të fitojë opozita, atëherë vendi do të përballet me urgjencë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Partitë shqiptare nuk komentojnë opsionet e tilla që janë pjesë e debateve interne në skenën e partive maqedonase. /Telegrafi/