Zgjedhjet në PDK prodhojnë “Qeverinë në hije” për Prishtinën
Vonesat për konstituimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë për Prishtinën fillimisht ishin bërë për shkak të mospajtimeve ndërmjet degës dhe qendrës së partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, në lidhje me emrat që do ta përbënin atë. Tash, kur PDK-ja ka shpallur datën e zgjedhjeve të brendshme, është vendosur që Kabineti të formohet nga strukturat e reja partiake, shkruan sot “Koha Ditore”.Vonesat në konstituimin e mekanizmit që kryeministri Thaçi e kishte emërtuar si Kabinet i Qeverisjes së Mirë për Prishtinën, ishin bërë për shkak të problemeve në parti. Dega në Prishtinë e Partisë Demokratike ishte ndier e anashkaluar nga qendra e këtij subjekti politik, në procesin e përzgjedhjes së njerëzve që do ta bënin këtë mekanizëm, me të cilin synohet marrja e pushtetit në kryeqytetin që qeveriset prej pasluftës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan “Koha Ditore”.
Zyrtarë të Degës druanin se projekti mund të mos kishte sukses, nëse vazhdon e tilla mospërfillje. E, tash kur PDK-ja ka shpallur datën e zgjedhjeve të brendshme, është vendosur që Kabineti të formohet nga strukturat e reja partiake që do të dalin. /Telegrafi/