Zjarr në Qendrën e Shëndetit Mental në Shtime
Një orë pas mesnate raportohet të ketë shpërthyer një zjarr në Qendrën Integruese të Shëndetit Mental në Shtime. Për këtë ngjarje është informuar Policia e Shtimes, e cila ka ndërmarrë masat për sanimin e këtij rasti emergjent, ndërsa janë alarmuar edhe njësitet përkatëse për fikjen e zjarrit.Burime policore të Ferizajt kanë njoftuar se policia së bashku me punëtorët e kësaj qendre, për një kohë të shkurtër kanë arritur që nga ndërtesa të evakuojnë 60 persona, të cilët kanë qenë të rrezikuar.
"Ndërkohë, pjesëtarët e Brigadës së Zjarrfikësve, fillimisht nga Shtimja e pastaj edhe nga Ferizaj, rreth orës 01:35 kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin, i cili fatmirësisht ka kaluar pa pasoja për personelin e kësaj qendre", ka thënë zëdhënësi rajonal i PK-së, toger Agim Gashi.
Policia bëri me dije, mbështetur në hetimet e para dhe deklarimet e dëshmitarëve, se zjarri kishte shpërthyer nga rezervoari i naftës që përdoret për nxehjen qendrore të objektit.
Toger Agim Gashi ka thënë se për rastin është njoftuar edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj i cili ka autorizuar policinë që t’i vazhdojë hetimet.
"Deri në raportin zyrtar të ekspertit për zjarre, nuk dihen shkaqet e këtij incidenti", ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë, toger Gashi. /Telegrafi/