Zjarre në Shkup, Veles dhe Likovë
Zjarri te Parku nacional "Jasen" midis fshatrave Tazhevë dhe Breznicë është lokalizuar pjesërisht, por në disa vende akoma është aktiv. Zjarre aktive ka edhe në rajonin e Velesit në fushat e fshatrave Banjicë, Drenovë dhe Lisiçe, në Likovë, Presicë e Vogël dhe në komunën e Gjorçe Petrovit, midis fshatrave Nigishtan dhe Graçan. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim sot kumtoi se në shuarjen e zjarrit në Jasen, nga i cili është përfshirë një pyll me pisha, është kyçur një aeroplan i tyre për shuarjen e zjarrit dhe janë angazhuar 10 të punësuar nga Ekonomia e Pyjeve dhe 20 nga PN "Jasen".
Në fshatrat e Velesit po digjet një shkozë, dushk dhe prerje e vjetër drunjsh, ndërsa në terren janë angazhuar shtatë të punësuar të Ekonomisë së Pyjeve, prej ku kanë njohuri se zjarri qëllimisht po ndizet për të cilën gjë është njoftuar edhe MPB, njofton Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim. Zjarri në Likovë është në një terren të paarritshëm mbi Presicë të Vogël, në perëndim të fshatit Srima dhe po shkon në drejtim të Brezës, transmeton “Zhurnal”.
Atje po digjet një pyll me pemë të ulëta, por intensiteti është më i vogël. Zjarri është akoma aktiv, por me intensitet më të vogël. Në zjarrin në komunën e Gjorçe Petrovit midis fshatrave Nigishtan dhe Graçan, po digjet një pyll privat me dushk. Gjendjen po e monitoron një i punësuar i vetëqeverisjes lokale.
Zjarri në fshatin Tudencë të Tetovës, është lokalizuar, por në disa vende ka tym. Në terren janë ekipet e ekonomisë së pyjeve dhe të pushtetit lokal.
Në fshatin Radushë në Komunën e Sarajit ku është kapluar me zjarr një pyll me pemë të ulëta për momentin po tymon në më shumë vende dhe në terren janë ekipet e njësitit territorial për mbrojtje kundër zjarreve me automjet. /Telegrafi/