Zjarret rrezikojnë shtëpitë në Mirditë
Një tjetër vatër zjarri është regjistruar në komunën Kthellë e Epërme në Mirditë, ku situata duket tepër problematike, pasi flakët i janë afruar banesave.Sipas drejtorit të policisë së mbrojtjes nga zjarret për Qarkun Lezhë, Zef Frani, zjarrfikësit janë nisur që në orën13:30, drejt kësaj komune të thellë por ende nuk kanë mbërritur, ndërkhë që atje flakët bëhen kërcënuese për banesat.
Ai sqaron se deri më tani ka marrë flakë “ një sipërfaqe me pisha”.
Zjarri në Peqin
Një zjarr i përmasave të mëdha ka nisur sot rreth orës 16:00 në fsahtin Kosën të Peqinit. Raportohet se deri më tan zjarri ka djegur rreth 5 hektar shkurre, ndërsa rrezikohet edhe kurora e gjelbër me ullishte.
Në vendngjarje, forcat zjarrfikësve kanë ndërhyrë për të shuar flakët, ndërsa deklarojnë se e kanë nën kontroll. Në ndihmë ju kanë ardhur edhe banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore kanë tentuar të shuajnë flakët. Sipas zjarrfikësve, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.
Zjarri në Radhimë
Po sot rreth mesditës një tjetër zjarr i qëllimshëm dyshohet të jetë vënë në ullishtet e Radhimës, zonë kjo afër plazhit, duke përhapur panik tek pushuesit. Edhe atje kanë ndërhyrë zjarrfikësit për të vënë nën kontroll situatën.
Zjarri në Ndroq
Një tjetër zjarr është regjistruar sot në Ndroq. Disa vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme në një kodër rreth fshatit Ndroq, në afërsi të Tiranës, ndërsa skuadrat e zjarrfikësve po mundohen për shuarjen e tyre. Sipas informacioneve paraprake, zjarrfikësit po mundohen të ulin përparimin e flakëve, por po hasin vështirësi në terren. Pavarësisht nga sipërfaqja e zënë nga flakët, nuk ka dëme në njerëz apo dhe materiale, transmeton BalkanWeb. /Telegrafi/