Zvicra do të vijojë të mbështesë Shqipërinë
Sekretari i Shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme, Peter Maurer, në një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, ka rikonfirmuar vendosmërinë e vendit të tij për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, si dhe për ta forcuar më tej marrëdhënien e suksesshme të ndërtuar deri më tani.Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve dhe u ripohua vendosmëria për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë edhe në planin shumëpalësh, në veçanti në kuadër të marrjes nga ana e Shqipërisë së kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, por edhe kryesimit të radhës së OSBE-së nga Zvicra.
Maurer e siguroi Berishën se Zvicra do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë, edhe si presidencë e radhës së OSBE-së, në të gjitha aspektet e bashkëpunimit shumëpalësh dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Ai i shprehu mirënjohjen kryeministrit shqiptar për mbështetjen që ai dhe Qeveria shqiptare po i japin projektit ‘Trans-Adriatik’, i cili konsiderohet si projekti më efikas dhe me shumë leverdi ekonomike për furnizimin me këtë lloj energjie të rajonit, çka do të sjellë një dimension të ri në zhvillimin ekonomik të të gjithë këtyre vendeve.
Sekretari i Shtetit të Zvicrës për Punët e Jashtme i shprehu kryeministrit Berisha ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qeverisë dhe qytetarëve të vendit të tij, për rënien në krye të detyrës të kapiten Feti Voglit, gjatë misionit të tij në Afganistan, duke vlerësua kontributin që Shqipëria po jep në përpjekjen ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin dhe për paqen dhe ndërtimin e demokracisë e lirisë në Afganistan. /Telegrafi/