LAJMI I FUNDIT:

Lansohet Picasio, platformë për krijimin e përmbajtjes interaktive në web

Lansohet Picasio, platformë për krijimin e përmbajtjes interaktive në web

Javën që shkoi në ambientet e Innovation Center of Kosovo u lansua edhe zyrtarisht Picasio, platformë kjo që ju mundëson mediave dhe publikuesve të tjerë në web të krijojnë përmbajtje interaktive për ta përdorur pastaj brenda artikujve.

Picasio ka 6 muaj që punon me partnerë të zgjedhur të cilët kanë pasur mundësi ta përdorin këtë platformë për të krijuar përmbajtje interaktive. Një nga ta është edhe gjiganti botërorë RedBull që është klient i kësaj platforme dhe e përdorë atë në artikujt e tyre.

Përmbajtja interaktive nuk është diçka e re ne web, ka disa vite që përdoret, mirëpo deri vonë ka qenë ekskluzivitet për një numër të vogël të mediave botërore që i kanë zhvilluar dhe integruar këto produkte direkt në platformat personale të tyre.

“Arsyeja pse ne filluam të punonim në këtë produkt është thjeshtë, dëshira jonë është që çdo media dhe publikues në botë të ketë të njëjtat produkte në dispozicion sikurse që ka BuzzFeed, Vox & New York Times” – shprehet Faton Sopa, CEO në kompaninë Picasio.

“Konkurenca në web është jashtëzakonisht e madhe, mbi 2 milion artikuj publikohen çdo ditë dhe është bërë shumë sfiduese që mediat por edhe për blogerët të krijojnë diçka unike që do të ketë sukses dhe shpërndahet në rrjete sociale.” – vazhdon z. Sopa “Këtu hyn përmbajtja interaktive që ju lejon lexuesve jo vetëm konsumimin e përmbajtjes por edhe ndërveprimin me të, duke rritur gjasat që ata lexues ta shpërndajnë këtë përmbajtje në rrjete sociale dhe duke rritur kështu performancën e asaj përmbajtje.”

Sipas Kissmetrics, kompani kjo që merret me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, formatet e përmbajtjes që shpërndahen më së shumti në Facebook janë kuizet interaktive. Në vitin 2015, 8 nga 10 artikujt më të shpërndarë në Facebook kanë qenë kuize. Këto statistika tregojnë që përdoruesit e internetit janë të etur për këtë format të përmbajtjes.

Foto

Picasio momentalisht ofron 3 formate të përmbajtjes interaktive; Personality Quiz, Trivia Quiz dhe Slideys.

“Ideja ka qenë prej fillimit që platforma të lansohet me tre formate interaktive që përformojnë më së miri në web dhe të zgjerohemi nga aty. Ne jemi duke punuar që në të ardhmen e afërt ta rrisimin numrin e formateve interaktive që ofrohen nga Picasio, kërkese kjo nga një numër i konsiderueshëm i përdoruesve tanë.” – tregon Granit Doshlaku, CMO në Picasio.

Tregu i synuar nga Picasio është tregu global ku shihet se ka hapësirë dhe potencial të madh për plasimin e përmbajtjes interaktive. Çka e dallon këtë kompani nga kompanitë e tjera në treg është eksperienca e tyre 7+ vjeqare si kompani për marketing digjital me një ekip që punon drejtëpërdrejtë me mediat duke ju ofruar atyre zgjidhje në aspektin e rritjes së medias, përformances së përmbajtjes dhe të ardhurave nga prezenca e tyre online.

“Një veçori inovative që nuk ekziston dikund tjetër është edhe sektori ‘Discover’ (përkth. Zbulo) që i mundëson publikuesëve të gjejnë përmbajtje interaktive që është krijuar nga përdoruesit në Picasio, përmbajtje kjo që pastaj mund të përdoret ose adoptohet nga të gjithë përdoruesit brenda platformes” tregon Dukagjin Surdulli, CTO në Picasio.

Zyret qendrore të kësaj kompanie gjenden në Baltimore, USA ndërsa zhvillimi dhe marketingu bëhet në Prishtinë nga kompania Manaferra.

Picasio akoma nuk e ka hapur regjistrimin për të gjithë përdoruesit, sidoqoftë i fton të gjithë të interesuarit që të regjistrohen për të pranuar ftesë posa ky produkt të lansohet globalisht duke klikuar këtu. /Telegrafi/