0Shares

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme që të japë kontributin për përfundimin e reformës zgjedhore, duke i kthyer anëtarët e saj në Komisionin e krijuar për përfundimin e këtij procesi. Kreu i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli ka deklaruar për Telegrafin se marrëveshja për zonat zgjedhore e arritur ndërmjet liderëve partiakë është lajm i mirë për të ecur përpara. Ndërsa, Avni Zogiani nga organizata Çohu, vlerëson se puna e Komisionit është sabotuar nga vetë liderët politikë.

Partia më e madhe opozitare, LDK-ja, kah fundi i vitit të kaluar kishte tërhequr anëtarët e saj nga Komisioni, duke u arsyetuar se kryeministri Hashim Thaçi qëllimisht po zvarriste përfundimin e reformës zgjedhore. LDK pretendonte se lideri i PDK-së synonte që kështu të krijonte kushtet për të shtyrë sa më shumë mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda gjashtë muajsh që prej përfundimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore.

Vitin e kaluar, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi kishte bojkotuar disa herë takimet e krerëve të partive politike, të cilët janë të obliguar që të dakordohen për çështjen e zonave, listave zgjedhore, pragut zgjedhor, e disa çështje të tjera.

Por, LDK-ja tash vlerëson se punët kanë nisur të ecin pas arritjes së marrëveshjes për një zonë të vetme zgjedhore.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, nga LDK-ja, ka shpjeguar se gjatë punës së bërë në komision, fillimisht tri partitë e mëdha, PDK, LDK e AAK, kanë përkrahur idenë për të pasur më shumë se një zonë zgjedhore. Por, më pas çështja ishte komplikuar për numrin e zonave.

“LDK-ja fillimisht kishte kërkuar që të ketë 26 zona zgjedhore. Por, më pas ne kemi vendosur që më mirë është të kishte vetëm një zonë, sesa gjashtë zona, siç kërkonte PDK-ja”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, Avni Zogiani, nga organizata Çohu, ka thënë se kjo që po ndodhë me reformën zgjedhore është thjesht një mbizotërim i politikës ndaj brengave të kosovarëve për gjetjen e një sistemi zgjedhor që do të reflektojë më saktë vullnetin e tyre.

“Çfarë kuptimi ka krijimi i një komisioni për reformën zgjedhore, nëse kërkesat injorohen dhe nëse në fund vendoset nga dy liderë, ashtu siç ndodhi. Tani është e qartë pse nuk funksionon Komisioni, pasi që ka qenë i sabotuar nga vetë liderët politikë”, ka deklaruar Zogiani për Telegrafin.

Ndërkohë, Ismet Kryeziu nga KDI ka vlerësuar se përcaktimi vetëm për një zonë zgjedhore e cenon demokracinë në Kosovë.

Ai ka deklaruar për Telegrafin se ky vendim është në kundërshtim me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës që një ndër pikat kryesore e ka krijimin e zonave zgjedhore.

“Vendimi i për zonat zgjedhore pritet të pasohet me vendimin për mbylljen e listave duke humbur peshën dhe rëndësinë e vetë Komisionit për reformë zgjedhore, i cili tashmë vetëm se do të vulosë vendimet e shefave të partive”, ka thënë Kryeziu. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)