LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja “Shkenca për Ndryshim”: Ajri i korruptuar në Dokufest

Lëvizja “Shkenca për Ndryshim”: Ajri i korruptuar në Dokufest

Korrupsioni tashmë është ndër fjalët më të përdorur në jetën e qytetarëve. Nuk ka debat televiziv, status në Facebook, shkrime në gazeta apo portale, ku nuk gjendet fjala korrupsion.

Madje, çdo dështimi në sfera të ndryshme – në shëndetësi, arsim, ekonomi, etj i ngarkohet fjala ‘korrupsion’. Janë mbajtur me qindra konferenca dhe debate televizive, janë zhvilluar aplikacione dhe platforma teknologjike, janë nënshkruar projekte, janë shpenzuar miliona euro dhe janë mbajtur qindra trajnime — por korrupsioni ende mbetet një ndër simptomat kryesore të çdo lloj qeverisje, qoftë në nivel lokal apo qendror.


Sigurisht që nuk do të mund të ishte ndryshe edhe për Festivalin e Filmit Ndërkombëtar dhe të Shkurtër “DokuFest”, ku tema kryesore e festivalit për këtë vit ishte: korrupsioni, thuhet në njoftim.

Pas pak do t’i rikthehemi korrupsionit, një forme tjetër të korrupsionit.

Lëvizja Shkenca për Ndryshim (“Science for Change Kosovo Movement”) – e cila filloi si projekt eksperimental në vitin 2014 me qëllim të hulumtimit dhe monitorimit të ndotjes së ajrit në Kosovë – është lëvizje ambientale e të rinjve që punon në tri fusha: edukim jo-formal ambiental me fëmijë dhe të rinj; monitorim dhe hulumtim të ndotjes së ajrit, dhe kampanja mobilizuese dhe aksione të drejtpërdrejta mbi ndotjen e ajrit në Kosovë.

Duke qenë se ajri së bashku me burimet tjera natyror është e ‘mirë e përbashkët’, Lëvizja Shkenca për Ndryshim së bashku me organizatën “Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN” kanë për qëllim që të punojë në ‘demokratizimin e ajrit’ dhe thyerjen e heshtjes së institucioneve relevante ndaj ndotjes së ajrit.

Dhe, duke qenë se të rinjtë janë ata që po e pësojnë më së shumti ndikimin e korrupsionit, janë pikërisht ata që zënë vendin kryesorë në Lëvizjen Shkenca për Ndryshim, ku përmes praktikave të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe asambleve gjenerale, aktivistët e Lëvizjes dhe PEN-it marrin vendime dhe vendosin për aksione të mëtejme.

Le t’i rikthehemi tani formës tjetër të korrupsionit: atë të ajrit.

Lëvizja Shkenca për Ndryshim dhe organizata “Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN” dhe në kuadër të projektit “Making Sense”, kanë filluar hulumtimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit në Kosovë, duke përfshirë 16 komuna të ndryshme.

Në javën e parë të gushtit, aktivistët e Lëvizjes Shkenca për Ndryshim dhe PEN-it ishin prezent në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar dhe të Shkurtër “DokuFest”, përkatësisht si pjesë e punëtorive të konferencës Doku:Tech.

Në mungesë të të dhënave zyrtare të cilat çuditërisht nuk publikohen nga institucionet lokale apo qendrore, dhe duke marrë parasysh numrin e madh të vizitorëve në Festival, aktivistët e Lëvizjes gjatë dy ditëve sa ishin prezent në Prizren, kanë marrë të dhëna të ndotjes së ajrit me PM2.5 (mikro-grimca të cilat kanë një diametër më të vogël se 2.5 mikrometër).

Këto grimca janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe sëmundje tjera respiratore.

Matjet e kualitetit të ajrit janë bërë duke përdorur pajisje teknologjike (të quajtura “Airbeams”), të kalibruara paraprakisht në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë, në mënyrë që rezultatet e mbledhura të jenë sa më të sakta.

Çuditërisht, rezultatet nga Prizreni tregojnë nivele të larta të ndotjes me PM2.5.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që niveli mesatar i mikrogrimcave PM2.5, gjatë 24-orëve, të mos jetë më i lartë se 25ug/m3 (mikrogramë për metër kub). Ndërkaq, siç edhe shihet nga të dhënat tona të publikuara (kliko këtu për të parë hartën: http://bit.ly/SfCKprizren), niveli i ndotjes me PM2.5 është katër herë më i lartë sesa limiti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sigurisht se kjo ndotje e lartë dhe jo e shëndetshme paraqet rrezik për vizitorët e Dokufest dhe qytetarët e Prizrenit. Duhet të theksohet se këto matje janë fillestare, si pjesë e punës më të gjerë të Lëvizjes në mbarë Kosovën.

Duke qenë se matjet janë bërë për një periudhë të shkurtë kohore, nuk mund të konkludohet se nivelet e larta të mikorgrimcave PM2.5 janë të larta gjatë gjithë kohës dhe në mënyrë të vazhdueshme. Kështu që, një punë më sistematike do të ndërmerret gjatë muajve në vijim, në mënyrë që të kuptohen gjithashtu edhe arsyet e ndotjes, si për shembull: komunikacioni i dendur, pamundësia e qarkullimit të ajrit si pasojë e ndryshimeve urbanistike, ndotja nga bizneset e ndryshme, etj.

Ndikimi i ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve, sidomos tek fëmijët, është alarmues. Këtë e dëshmojnë edhe një numër raportesh të publikuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Prandaj, puna e Lëvizjes Shkenca për Ndryshim dhe organizatës “Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN” në kuadër të projektit “Making Sense”, në hulumtimin e ndotjes së ajrit në Kosovë do të vazhdojë në mënyrë sistematike, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar në mënyrë transparente dhe në vazhdueshmëri mbi cilësinë e ajrit dhe mbi pasojat që sjellë ndotja e ajrit.

Dhe ky tentim i Lëvizjes dhe PEN-it, që ta thyejë heshtjen e institucioneve dhe ta luftojë mos-transparencën e tyre në informimin e drejtë të qytetarëve mbi ndotjen e ajrit (për shembull institucionet relevante, qoftë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor apo Agjencioni Kosovar për Mbrojtjen e Mjedisit, nuk i publikojnë në mënyrë transparente të dhënat për ndotjen e ajrit, madje edhe nëse dërgoni kërkesë zyrtare) është në të njëjtën kohë tentim për ta “ç’korruptizuar” ajrin dhe ta demokratizojë atë.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Foleja
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Pixels
50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

Frigo Deluxe
Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

My Skin Project
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Ekonomi
Prishtina hapi dyert e trashëgimisë dhe inovacionit në panairet e Turizmit dhe Edukimit

Prishtina hapi dyert e trashëgimisë dhe inovacionit në panairet e Turizmit dhe Edukimit

Elfije Boletini
Kalo në kategori