LAJMI I FUNDIT:

Lidershipi i Luginës

Lugina e Preshevës, trevë kjo e banuar me shumicë Shqiptare, po i reziston me një qëndresë të pashembullt një politike shoviniste të pushtetit serb, të trashëguar nga doktrina politike e diktatorit ballkanik, Sllobodan Milosheviq.

Tensionimi i gjendjes në Luginë të Preshevës, e që në fakt për shqiptarët e Luginës mbretëron për vite të tëra, një situatë e tillë po ndiqet me vëmendje të veçantë nga i gjithë spektri politik mbarëkombëtar. Reagimet e dy qeverive shqiptare, me aktin makabër të pushtetit serb mbi heqjen e Lapidarit në qendër të qytetit të Preshevës, janë për t’u vlerësuar. Reagimet e ashpra si nga qeveria e Shqipërisë, po ashtu edhe nga qeveria e Kosovës, si dhe instruksionet e tyre për stabilizimin e situatës së tej rënduar politike në Luginë, janë reagime identike me reagimet e ambasadave të vendeve që janë edhe djepi i demokracisë, si ajo e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.


Shqiptarët u sakrifikuan për shekuj të tërë, për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serbë. Ky objektiv u arrit me vuajtjet më mizore që mund të ekzistojnë, me një gjak derdhje të pashembullt në historinë moderne të njerëzimit. Sakrifica mbarëshqiptare solli pavarësinë e Republikës së Kosovës. Diplomacia kosovare dhe mbarëkombëtare, si dhe me ndihmën e aleateve të kombit tonë, po bëjnë një lobim për mëveshjen e Kosovës me subjektivitetin ndërkombëtar, gjithnjë duke e paraqitur para botës demokratike argumentin bazë: “Faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit”.

Implikimi i Republikës së Kosovës, në çfarëdo forme të dhunshme për mbrojtjen e shqiptarëve të Luginës, do të ishte çelësi magjik që me automatizëm do ta bënte triumfues diplomacinë serbo-ruse. Shqiptarët, me ndjekjen e politikave civilizuese evropiane, përmbysën diplomacinë shoviniste serbe. Dialogu, një rrugë e përqafuar nga shqiptarët për zgjidhjen e problemeve politike, ka ngritur kulturën, moralin dhe dinjitetin tonë kombëtar në qarqet diplomatike ndërkombëtare. Reciprociteti si veprim hakmarrës, në këtë rast rrënimin e objekteve kulturore serbe në territorin e Kosovës, do ta zhyste diplomacinë e vendit në mjegull, nga e cila mund të numërohen vetëm humbjet.

Prandaj, Republika e Kosovës, si një faktor stabiliteti në rajon, duhet t’i shfrytëzojë vetëm mjetet demokratike për mbrojtje të shqiptarëve të Luginës. Nga ana tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka premtuar ngritjen e shqyrtimit të situatës në instanca të ndryshme ndërkombëtare.

Lidershipi i Luginës, gjatë gjithë këtij procesi ka treguar dhe po tregon një pjekuri politike të nivelit të lartë. Deklarata e kryetarit te komunës së Preshevës se vandalizmit nuk do t’i përgjigjen me vandalizëm, është deklaratë që do ta jepte një burrështetas evropian. Grupi i Unitetit, morri nota të larta nga vendet e kuintit për menaxhimin e një situate të tillë politike. Largimi i Lapidarit preku ndjenjën e çdo shqiptari, fakt që nuk mund ta mohojë askush, por një veprim i tillë barbar do t’i sjell fitore të tjera shqiptarëve në përgjithësi.

Dëshmorët e kombit janë të pavdekshëm, këtë gjë e argumentoi edhe pllaka përkujtimore me efektet e prodhuara, si uniteti politik, senzibilizimi i çështjes së Luginës, trajtimi i veçantë i Luginës nga përfaqësuesit e vendeve të kuintit, e deri në ngritjen e çështjes në instancat më të larta të politikës ndërkombëtare. Çdo veprim i autoriteteve lokale të Luginës që do të ishte në kundërthënie me korin diplomatik, si kombëtar po ashtu edhe ndërkombëtar, do të sillte katastrofa të mëdha për shqiptarët e Luginës, do të shumëfishonte emra të rinj nëpër lapidare, e që kostoja do të jetë vetëm në kurriz të shqiptarëve.

Shqiptaret në përgjithësi, e të Luginës ne veçanti, ndjejnë një boshllëk të konsiderueshëm në zemrat e tyre me mos prezencën e dëshmorëve. Një konflikt i ri do të ketë edhe të rënët e vetë. Se a është i nevojshëm të rritet ky numër, përgjigjen do ta gjejë çdo kush në ndërgjegjen e tij.