Stërvitjet me pesha dhe ndikimi mbi muskujt

0:44 / 13.10.2010

Stërvitja me pesha për rritjen e forcës dhe rezistencës përmban brenda saj një seri ngritje peshash në të cilën peshat rriten gjatë çdo serie. Kjo lloj stërvitje ndikon mbi muskujt në 3 mënyra: përmirëson veprimtarinë neuro-muskulore, forcon indet muskulore, përforcon lëvizjet e vetë muskujve.

Master Gym

Rezultati i këtij programi është: koordinimi më i mirë i muskujve, rritja e forcës, qëndrueshmërisë dhe përmirësimi i fleksibilitetit të tyre.

Stërvitja me pesha e vendos trupin nën trysni. Për të përballuar peshën e ushtrimit, trupi intensifikon përpjekjet dhe kjo bën që të rritet niveli i forcës. Kur trupi mësohet me këtë peshë dhe i duket e lehtë, pesha rritet dhe trupi përsëri intensifikon përpjekjet derisa t’i duket përsëri e lehtë dhe e përballueshme. Ky proces vazhdon të përsëritet me qëllim rritjen e forcës dhe rezistencës.

Ka shume metoda të stërvitjes me pesha të bazuara në llojin e peshave që përdoren, por parimet e stërvitjes janë të njëjtat:

1. Kërkohet rezistencë. Vetë rezistenca rrjedh nga pajisjet që zgjidhen për t’u stërvitur. Stërvitja mund të bëhet me shtanga, gira ose dhe me pajisjet e forcës të cilat lejojnë, jo vetëm kontrollin e sasisë së peshave, por dhe të pozicionit të trupit. Ushtrimi i kryer në këto pajisje mund të jetë jo vetëm një ngritje, por edhe shtytje ose tërheqje peshe.

2. Trupi duhet të rris përpjekjet që t’i rezistojë peshës gjatë ushtrimit. Rritja e përpjekjeve arrihet në 3 mënyra:
* Mund të rritet sasia e peshave duke ngritur pesha më të rënda.
* Mund të rritet numri i serive (por, gjithnjë me pushime në mes) duke ndryshuar numrin e përsëritjeve të lëvizjeve.
* Mund të rritet kohëzgjatja e ushtrimit duke ulur shpejtësinë e kryerjes së tij.

3. Rezistenca vjen nga muskuj ose grup muskujsh. Kur shumë njerëz fillojnë të stërviten, ata janë të aftë të ngrenë pesha të renda mjaft shpejt, edhe pse rritja e muskujve mund të mos duket ose të ndihet, sepse fillimisht fitojnë forcë dhe ndikim neuro-muskulor si dhe patjetër forcohen indet muskulore.

Muskujt fitojnë mase kur ato kalojnë zonën e shtrirjes së tyre normale. Masa që fitojnë muskujt, vjen nga një mbingarkesë pune. Muskujt mund të mbingarkohen deri në atë pikë sa të jetë e pamundur të kryhet qoftë edhe një ngritje apo tërheqje tjetër në formë të mirë. Dhimbja e muskujve një ditë ose 2 pas mbarimit të stërvitjes është zakonisht një efekt anësor i një pune me ngarkesë të rëndë. Kjo, sepse dëmtohen indet e muskujve, krijohen disa gërvishtje të lehta e shumë të vogla në këto inde. Përpjekjet që organizmi bën për të riparuar këto gërvishtje, shkaktojnë më vonë dhe rritjen e forcës dhe të masës së muskujve.

Organizmit i nevojitet kohë që të mëkëmbet nga dëmtimet. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme pushimi mes stërvitjeve të rënda me pesha. Shtimi i forcës ndodh gjatë periudhës së pushimit (rimëkëmbjes) dhe jo gjatë kohës së kryerjes së ushtrimit. Periudha e rimëkëmbjes është individuale, ajo varet nga gjinia, mosha, niveli sportiv, por pavarësisht nga këto, të gjithëve iu nevojitet kjo periudhe riaftësimi pas një pune me mbingarkesë.

Për të arritur rezultate më të mira, puna e bërë me peshat duhet të aplikohet mbi muskul ose grup muskujsh të caktuar, në një mënyrë të caktuar, për të arritur një qëllim të caktuar. Ushtrimi duhet të kryhet në mënyrë të saktë, që muskujt të ndjejnë ngarkesën në çdo set lëvizjesh, përndryshe e gjithë puna shkon dëm. P.sh qëllimi juaj është tricepsi, muskuli kryesor në pjesën e prapme dhe të sipërme të krahut. Nëse ju kapni një girë dhe filloni ta ngrini, shanset që ky ushtrim të ketë ndikim mbi tricepsin janë shumë të vogla, por ndikimin kryesor e ka mbi bicepsin, supin, parakrahun.

Trupi me kalimin e kohës do të adaptohet, por me ndihmën e instruktorit duhet të vendosen qëllime të caktuara, të vendoset se mbi ke muskuj duam të punojmë dhe të zgjidhen ushtrimet përkatëse. Gjithashtu duhet mësuar edhe disa baza të anatomisë në lidhje me vendndodhjen e muskujve si edhe cilat lëvizje ndikojnë mbi një muskul ose grup muskujsh. E rëndësishme është që ushtrimi të kryhet në mënyrën e saktë, të jeni të përqendruar gjatë ekzekutimit të tij. Sa më të përqendruar të jeni, aq më i mirë do të jetë dhe rezultati. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.